Gani Sejdiu impresionohet nga nisja e kampionatit, e befason ky ekip

Gani Sejdiu impresionohet nga nisja e kampionatit, e befason ky ekip

Sport gusht 20, 2019 - 10:30
Detajet

Emocionet e ndeshjeve të futbollit kosovar janë rikthyer në fundjavën që lamë pas me ndeshjet e xhiros së parë të edicionit 2019 - 2020 në Superligën e Kosovës në futboll. Me stadiume të stërmbushura dhe me entuziazëm nga të gjitha skuadrat u rrokullisën topat e parë për të filluar një garë e madhe, e cila sivjet do të jetë shumë më ndryshe për faktin se katër skuadra do të bien direkt nga Superliga, ndërkohë ka gjasa që edhe tri ekipe të marrin pjesë në garat evropiane.

Xhiroja e parë solli disa befasi. FC Prishtina ani pse bëri gjithçka për fitore në ndeshjen ndaj Flamurtarit, kjo e fundit arriti ta shkëpusë një pikë për t’u mbyllur ndeshja me shifrat 1:1. Pas befasisë që ndodhi të shtunën në kryeqytet, e diela rezervoi edhe dy rezultate, të cilat nuk i ka pritur askush.

Ferizaj, i cili shumë vonë e nisi misionin për Superligë, e tmerroi Dritën që investoi shumë duke e mposhtur me rezultat 1:0 para tifozëve të saj në Gjilan.

Skuadra tjetër e këtij qyteti, SG Gjilani doli kokulur nga stadiumi “Riza Lushta” në Mitrovicë, duke u mundur me shifrat 4:1. Kujtojmë se Gjilani në afatin kalimtar ka bërë disa përforcime të mëdha duke transferuar lojtarë me emër nga kampionatet e rajonit.

Sejdiu: Rezultatet befasuese do ta bëjnë kampionatin edhe më interesant

Trajneri i mirënjohur kosovar Gani Sejdiu vlerëson se kampionati ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. “Timonierin” e suksesshëm nga Mitrovica e gëzon fakti se në xhiron e parë nuk munguan befasitë. “Ishte një fillim shumë i mbarë i kampionatit dhe konsideroj se rezultatet që ishin befasi e kanë bërë edhe më interesant këtë fillim. Ekipet, të cilat nuk kanë investuar shumë, kanë arritur t’i mposhtin skuadrat që kanë bërë investime të mëdha dhe ky fakt më gëzon. Për këtë është futbolli interesant dhe kjo është hijeshia e këtij sporti”, ka thënë Gani Sejdiu të hënën për gazetën “Zëri”.

Ai ndër të tjera zbulon se të dielën e ka përcjellë nga afër ndeshjen Trepça ’89 – Gjilani teksa ka mbetur i mahnitur me paraqitjen e mitrovicasve, që tashmë drejtohen nga trajneri i ri Shpëtim Idrizi. “Trepça ’89 e ka bërë një ndeshje të madhe duke shkëlqyer. Jo vetëm fitorja, mirëpo mënyra e interpretimit të lojës ka qenë perfekte. Kjo sfidë më ka lënë shumë mbresa”, potencoi Gani Sejdiu.

Sejdiu u ndal edhe te dy ndeshje të tjera. “Edhe Ferizaj ka shkaktuar befasi duke e mundur Dritën, që në këtë verë është përforcuar tej mase, sikurse Flamurtari që arriti ta shkëpusë një pikë ndaj Prishtinës. Këto rezultate vetëm sa do ta bëjnë interesant kampionatin”, vlerësoi Gani Sejdiu. /Zëri.info