Federer dëshmohet 'mbret' në Halle dhe shkruan historinë

Federer dëshmohet 'mbret' në Halle dhe shkruan historinë

Sport June 23, 2019 - 16:04
Detajet

Tenisti zviceran Roger Federer fitoi për të dhjetën herë në karrierën e tij turneun ATP të Halle (Gjermani), turne që zhvillohet në fushat me bar.

Në finale, numri tre në botë mposhti 2:0 (7:6, 6:1) belgun David Goffin, suksesi i tretë sezonal.

Një triumf i merituar i Federer, që vuajti vetëm në setin e parë, ku triumfoi në “tie break”, shkruan Zëri.info.

Më pas, zvicerani e dominoi lojën, duke fituar me shumë lehtësi në setin e dytë. 

Për Federer, ky është trofeu i 102-të në karrierën e tij.

Federer rikthehet te suksesi në këtë turne pas dy vitesh, teksa një vit më parë u mund në finale nga Borna Coric. 

Gjithsesi, këtë herë, fituesi i 20 grand slam nuk gaboi, duke ngritur lart trofeun e turneut të Halle për të dhjetën herë.

Federer ka fituar në vitet 2003-2006, 2008, 2013-2015, 2017 dhe 2019 (në tri edicione është mundur në finale). 

“Jam shumë i lumtur për këtë triumf. As që e mendoja se do të rikthehesha sërish në finalen e këtij turneu, që është shumë i dashur për mua”, tha Federer.

Zvcierani konfirmoi formën e mirë, teksa ky turne i shërbeu për t’u përgatitur për grand slam të Wimbledon, që nis më 1 korrik. 

Turneu londinez është objektivi kryesor i Federer, që fushat me bar i ka sipërfaqen e tij të preferuar./Zëri.info