Genc Nuza bëhet ‘hit’ botëror

Genc Nuza bëhet ‘hit’ botëror

Sport June 17, 2019 - 16:22
Detajet

Gjyqtari kosovar i licencuar nga FIFA, Genc Nuza, e “vodhi” shfaqjen në mbrëmjen e yjeve në stadiumin “Fadil Vokrri” të shtunën, duke ia bërë një trik Muharrem Sahitit që nxiti të qeshura në gjithë stadiumin.

Gjithcka ndodhi në ndeshjen bamirësisë mes ekipit të kapitenit Granit Xhaka dhe kapitenit Milot Rashica që u mbyll baras 4:4.

Muharrem Sahiti, ndihmës trajneri i Bernard Challandes në ekipin kombëtar të Kosovës, i cili ishte pjesë e ekipit të Xhakës, ra në kurthin e gjyqtarit të Superligës, Nuzës, që për një moment e bëri atë të mendojë se do ta ndëshkonte me karton.

Por, Nuza e nxori nga xhepi një faculetë dhe i fshiu djersët, duke e habitur Sahitin dhe ngjalli të qeshura në fushë dhe te tifozët.

Për këtë ka raportuar edhe faqja më e madhe e huaj “433”, që ka 21 milionë ndjekës në Instagram, afër 3 milionë në Facebook dhe afër 1 milionë në “Twitter”.

“Si bos”, ka shkruar faqja “433” në videon e publikuar për veprimin që bën gjyqtari i njohur kosovar.