Wolves synon të bëhet forcë e Premierligës dhe Evropës

Wolves synon të bëhet forcë e Premierligës dhe Evropës

Sport May 23, 2019 - 08:29
Detajet

Wolverhampton Wanderers ka bërë një edicion të shkëlqyer në Premierligë në edicionin që lamë pas. Ky klub po synon të bëhet fuqi në Angli dhe në Evropë 

Derisa Manchester City vazhdon të dominojë qe dy vjet në Premierligën angleze dhe në futbollin anglez në përgjithësi, një tjetër klub është duke kryer punë të madhe, që bëhet forcë në ishull.

Pas triumfit në Premierligë, në kupën FA dhe në kupën “Carabao”, “Qytetarët” i kanë kryer një nder të madh skuadrës së Wolverhampton Wanderers.

Pas fitores së Manchester Cityt në finalen e kupës FA ndaj Watfordit, Wolverhamptoni është kualifikuar në Ligën e Evropës nga vendi i shtatë.

Edicioni 2018/19 ishte i jashtëzakonshëm për Wolves, që sapo ishte promovuar në elitën e futbollit anglez, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Të udhëhequr nga trajneri i njohur Nuno Espirito Santo, Wolves e mori me plot meritë emrin si “skuadra më e mirë e pjesës tjetër”.

Djelmoshat e drejtuar nga Nuno Espirito Santo kanë shkëlqyer këtë edicion, duke ndalur hovin e shumë skuadrave të mëdha.

Meritat e Jorge Mendes

Por një njeri tjetër që ka merita të mëdha po ashtu për këtë sukses të “Ujqërve” është agjenti i njohur Jorge Mendes.

Agjenti portugez ka punuar si një këshilltar jozyrtar i Wolves, pasi që Espirito Santo dhe shumë klientë të Mendes shkuan në këtë klub.

Rui Patricio, Joao Moutinho dhe Diogo Jota, pastaj edhe Ruben Neves, Helder Costa dhe Ivan Cavaleiro janë klientë të Mendes.

Ndërkaq mediet kanë zbuluar disa nga emrat e futbollistëve të cilët pëlqehen dhe që mund të transferohen te klubi i Premierligës.

Renato Sanches, ish-futbollist i Bayern Munichut, mund t’i bashkohet këtij ekipi.

Këtë edicion Sanches ka zhvilluar 17 ndeshje si startues, ku në 13 prej tyre është zëvendësuar.

Andre Gomes është nën pronësi të Barcelonës, por që edicionin që lamë pas luajti tek Evertoni, duke bërë paraqitje mbresëlënëse te skuadra nga Marseyside.

Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tij në afatin kalimtar veror.  

Wolves ka nevojë më së shumti që të përforcohet qendra e mbrojtjes, pasi në skuadër ka vetëm tre qendërmbrojtës, me Willy Boly, Conor Coady e Ryan Bennett.

Futbollisti Ruben Dias i Benficas është prej më të mirëve në qarkullim.

Benfica për të kërkon 52 milionë euro, por për të interesohet edhe Manchester Unitedi dhe Atletico Madridi, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Një tjetër qendërmbrojtës që është klient i Mendes është mbrojtësi i Lazios, Wallace.

24-vjeçari ka zhvilluar 14 ndeshje në Serie A në edicionin 2018/2019.

Wolses mund të jetë destinacioni i ri i tij. 

Ndryshe, Joao Felix është emri i momentit në Evropë me klube si Manchester United, Liverpool, Juventus dhe Real Madrid, që interesohen për shërbimet e futbollistit të talentuar.

Ai kushton mbi 100 milionë euro.

Ardhja e tij në Wolves do të nxiste shumë interesim për klubin dhe me Mendesin agjent gjithçka mund të ndodhë në afatin kalimtar veror./Zëri.info