Gjiganti i rrëzuar gjerman në kërkim të identitetit të ri

Gjiganti i rrëzuar gjerman në kërkim të identitetit të ri

Sport March 25, 2019 - 10:28
Detajet

Kampioni i pesëfishtë gjerman - Suttgarti është duke luftuar për ekzistencë në Bundesligë, derisa gjendja e vështirë që ka e kapluar klubin gjatë kohëve të fundit nuk është përmirësuar. Planet e dobëta afatgjate e kanë sjellë Stuttgartin në këtë situatë. Këtë gjë po mundohet ta ndryshojë drejtori i ri në klub Thomas Hitzlsperger, shkruan sot, gazeta “Zëri”

E hëna e katër marsit dukej e mërzitshme në Stuttgart. Qielli i errësuar, mot i ftohtë e me borë dhe më pas rreth orës 10 të mëngjesit erëra të forta. Por humori i vendasve ishte i mirë dhe optimist, gjë që nuk dukej fare befasuese pas ngjarjeve që ndodhën një ditë më herët.

VFB Stutttgart – Hannover 5:1. Fitorja e parë në nëntë ndeshje për ekipin e Markus Weinzierlit dhe gjithashtu avantazhi më i thellë i edicionit. Në mënyrë vendimtare erdhi ndaj një klubi rival për mbijetesë, duke shtuar shpresat që ekipi mund të qëndrojë në ligë. Përmes buzëqeshjeve dhe të qeshurave të njerëzve që kishin sfiduar motin e ftohtë dimëror në mënyrë që të shikonin lojtarët në një sesion të hapur stërvitor në bazën e klubit, që gjendet në lindje të lumit Neckar dhe nën hijen e stadiumit 60.000 vendesh “Mercedes-Benz Arena”, e emëruar për shkak të kompanisë së automobilave, që ashtu sikur “Porsche” është një lloj krenarie e gjithashtu punësimi për qytetin.

Rreziku për rënien nga liga thjesht nuk duhet të jetë për Stuttgartin, një institucion krenar, njëri prej themeluesve të Bundesligës dhe kampioni i pesëfishtë gjerman. Vetëm pesë klube qëndrojnë më lart - Hamburgu, Schalke, Borussia Dortmundi, Nurnbergu dhe sigurisht Bayern Munichu.

Image

Por, që prej titullit të fundit në 2007-n kaosi dhe parregullsia e kanë karakterizuar Stuttgartin. Kanë qenë plot 14 trajnerë të ndryshëm në dekadën e fundit. Çdo shembull i një plani një afatgjatë ka dështuar dhe nuk është çudi që klubi kishte rënë nga liga në 2016-n, gjë që mund të ndodhë edhe këtë vit. Ose ndoshta edhe jo, një gjë ironike për shkak të ndryshimeve të tjera. Në mes të shkurtit dhe pas një humbjeje prej 3:0 nga Fortuna Dusseldorf, Michael Reschke ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit sportiv dhe u zëvendësua nga Thomas Hitzlsperger, pjesëtar i skuadrës që e fitoi titullin në 2007-n dhe që në vitin e kaluar ishte drejtor i akademisë. Plani afatshkurtër i ish-mesfushorit 36-vjeçar ishte që ta mbante Stuttgartin në ligë, duke e marrë një vendim befasues për ta mbajtur Weinzierlin si trajner, duke pasur ndikim të menjëhershëm. U regjistrua një humbje nga Leipzigu pas një paraqitje të mirë, një barazim ndaj Werder Bremenit dhe më pas erdhi triumfi i thellë ndaj Hannoverit. Që prej asaj kohe Stuttgarti është mposhtur në Dortmund dhe ka barazuar në shtëpi 1:1 me Hoffenheimin, duke luftuar nga një disavantazh prej një goli për të arkëtuar një pikë, ku pavarësisht se tani qëndrojnë në pozitën e 16-të – vendi i cili siguron ndeshjet e “Play-Off”-it – ata tani kanë shansin për t’u ngjitur edhe me lart.

Për Hitzlspergerin, kjo kthesa e legjitimon vendimin e tij për të pranuar ngritjen në detyrë, që e bën përgjegjës për ekipin e parë, personelin menaxhues dhe në departamentin e skautëve. Është një rol i vështirë për dikë që ka pak përvojë, por që gjithashtu nuk mund të refuzohet. “Unë kam histori me këtë klub dhe ndjeva se ishte detyra ime t’i ndihmoja”, thotë Hitzlsperger.

Hitzlsperger ka folur pasi vështroi stërvitjen pas ndeshjes me Hannoverin, derisa edhe pati takime me Weinzierlin dhe të tjerët në një ditë tipike të ngarkuar për të, saqë shpejt bëhen të qarta kualitetet dhe inteligjenca e atij që u bë i njohur si “Der Hammer” gjatë pesë vjetëve të kaluara te Aston Villa në fillimet e viteve 2000 për shkak të goditjeve nga distanca. Hitzlsperger është i vendosur jo vetëm që të mbajë statusin elitar të Stuttgartit, por që gjithashtu t’i ndalojë problemet e këtij klubi duke e stabilizuar me një plan afatgjatë, që ka për qëllim ngritjen e klubit, identitetin në fushë dhe talentet vendase.

Sami Khedira, Timo Werner, Antonio Rudiger, Bernd Leno dhe Sebastian Rudy janë vetëm disa prej emrave që kanë dalë nga akademia e klubit e që sot luajnë diku tjetër. Bonusi financiar dhe shanset për të fituar tituj i kanë mbetur së kaluarës, por gjithashtu ekziston mendimi që klubi thjesht nuk ka bërë sa duhet për të mbajtur lojtarët të më ardhme. Nga lojtarët që kanë luajtur kundër Hoffenheimit, vetëm tre kanë ardhur nga akademia, Andreas Beck, Mario Gomez dhe kapiteni Christian Gentner, që të tre janë veteranë dhe në aventurën e tyre të dytë te Stuttgarit e që i kalojnë një gjenerate të shkuar. “Në një pikë, lidhja mes akademisë dhe ekipit të parë u thye. Ne kishim lojtarë, por ata ikën dhe tifozët po bëjnë pyetje. Pse është Rudy te Schalke? Pse i është lejuar Lenos të shkonte te Bayer Leverkuseni? Si ka përfunduar Serge Gnabry te Bayerni kur ka lindur në Stuttgart? Unë isha drejtor i akademisë për 12 muaj dhe njëra prej prioriteteve të mia në rolin e ri është që të sigurohem të integrojmë lojtarët e rinj në ekipin e parë. Kjo është pjesë e ADN-së sonë”, thotë Hitzlsperger, i lindur në Bavari, por që tani është adoptuar nga Stuttgarti pasi u paraqit 172 herë për klubin në periudhën 2005-2010, duke e ngritur lart titullin e ligës para 12 vjetësh.

Promovimi i lojtarëve të rinj është një gjë, derisa prodhimi është një gjë tjetër dhe kjo është një çështje në të cilën Stuttgarti ka vuajtur gjatë viteve të fundit. Sidoqoftë, Hitzlsperger ndien se ky problem është anembanë Gjermanisë, duke parë interesimin e klubeve në këtë vend për të marrë lojtarë nga Anglia, siç është rasti i Jadon Sanchos. “Të rinjtë anglezë janë më të mirë se tanët të së njëjtës moshë. Kaq e thjeshtë. Ka shumë lojtarë anglezë si Sancho, por pak të atij lloji në Gjermani. Lojtari i vetëm i mirë që kemi në atë moshë është Kai Havertz te Leverkuseni. Të tjerët janë të miredukuar, ata e njohin taktikën, janë lojtarë ekipor, por pak shkëlqejnë. Kjo për shkak se shumë akademi këtu janë të përqendruar te fitorja më shumë sesa te përmirësimi individual”, shprehet ai.

Hitzlsperger është i vendosur për ta stabilizuar klubin, duke shprehur dëshirën e tij jo vetëm për të emëruar një drejtor të ri të akademisë, por edhe një drejtor sportiv për ta ndihmuar me ekipin e parë. Nga këndvështrimi i Hitzlspergerit është vendimtare që këto emërime, ashtu si edhe e tija të jenë afatgjate. Nuk ka pasur një shembull të tillë në Stuttgart. “Është koha që t’ua besojmë njerëzve dhe t’i lejojmë ata t’i zbatojnë idetë e tyre për një periudhë kohore. Durimi është kyç për këtë klub që të rikthehet aty ku ka qenë”, përfundoi ish-reprezentuesi gjerman./Zëri