Njoftoi se do të pensionohet, Khabib e fton në duel

Sport February 21, 2019 - 09:48
Detajet

Georges St-Pierre tha se do të pensionohet përfundimisht nga sporti i arteve marciale, pasi nuk arriti një marrëveshje me UFC-n për t’u përballur me Khabib Nurmagomedov, tani ka ardhur reagimi i kampionit rus.

Përmes një postimi në Instagram, Khabib ka thënë se fton në duel kanadezin, të cilin shprehet se e ka idol, shkruan Zëri.

“Eja të përballemi në nëntor. Pas këtij dueli largohu. Unë jam rritur duke parë duelet e tua dhe ndjej vetëm respekt karshi teje dhe mendoj se këtë gjë e kam treguar kur ishte këtu, në Moskë”, shkroi Khabib, duke vendosur edhe një foto të tij me St-Pierre.

Khabib ka bërë me dije se do të rikthehet në kafaz në nëntor edhe pse pezullimi 9-mujor i mbaron në qershor.

Më tej, rusi, kampion bote në peshën e lehtë shkruan: “Për mua do të ishte një nder të ndaja kafazin me një prej mundësve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Eja ta bëjmë këtë duel në cilëndo peshë që t’i dëshiron. Nëse nuk arrin të kapësh peshën jam gati të dueloj sërish me ty edhe nëse peshon mbi normën. Le të përballemi ku të duash ti: Montreal, Nju Jork, Moskë, Abu Dhabi. Më tregon vendndodhjen miku im”./Zëri/

Image