Zyrtare: Drita me fushë të re

Sport February 21, 2019 - 09:13
Detajet

Klubi kampion i Kosovës në futboll për edicionin kaluar, Drita, ndonëse në këtë edicion të garave nuk është në nivel të vitit të kaluar sa u përket rezultateve në fushë dhe gjendjes në tabelë (e pesta, me 26 pikë), ka një projekt të madh për ndërtimin e një stadiumi të ri për grupmoshat e reja.

Lajmin e ka bërë të ditur trajneri i grupmoshave të reja të FC Dritës Ardian Latifi, i cili për “Zërin” tha se fusha e re do të ndërtohet në një vend të përshtatshëm në qytetin e Gjilanit.

“Fusha e re do të ndërtohet në afërsi të tregut të veturave”, tha Latifi, teksa ka shtuar se përveç fushës në hapësirën që i takon FC Dritës do të ndërtohet edhe një hotel e në të ardhmen edhe fusha të tjera.

“Fillimisht do të ndërtohet vetëm një fushë, ndërsa më pas, sipas projektit që ka FC Drita, do të ndërtohet edhe një hotel dhe disa fusha të tjera”, tha për “Zërin” trajneri  Ardian Latifi, duke shtuar se përfundimi i ndërtimit të fushës së parë do të jetë në afat prej 25 ditësh./Zëri/