'France Football' me shkrim special për Arbër Zenelin

Sport February 18, 2019 - 11:52
Detajet

Arbër Zeneli bëri një paraqitje të mirë dje në fitoren, 2:0 të Reims kundër Rennes në kuadër të kampionatit elitar francez, Ligue 1.

Reprezentuesi kosovar luajti vetëm nga pjesa e dytë, megjithatë ai ia doli të asistojë te goli i dytë i skuadrës së tij.

Për këtë asistim, Zeneli ka marrë edhe vëmendjen e magazines së famshme kosovare, “France Football”, e cila e ka vlerësuar lart paraqitjen e djeshme të ish-anëtarit të Heerenveenit, shkruan Zëri.

Zeneli kompletoi transferimin e tij te Reims gjatë afatit kalimtar të janarit, teksa edhe në Holandë shquhej për asistime dhe gola në shumë ndeshje.

Dje kundër Rennes, Zeneli luajti nga minuta e 55-të, por ia doli të lë gjurmë, duke dhuruar një asistim për Oudin.

“Futbollist energjik, teknik dhe me vullnet. Ishte i kërkuar nga klube të mëdha, përfshirë edhe nga Chelsea, si dhe ka bërë mirë në kampionat. Ky është vetëm fillimi për të”, ishte vlerësimi i “France Football” për futbollistin kosovar.

Ndryshe, Zeneli ende nuk ka startuar nga minuta e pare për Reims, teksa ndaj Marseille, Toulouse dhe tani ndaj Rennes ka luajtur vetëm nga pjesa e dytë./Zëri/