Rregulli i ri po i 'mbyt' talentët

Sport January 19, 2019 - 10:02
Lexo tjera detaje

Në edicionin 2017-’18 Federata e Futbollit e Kosovës e ndryshoi rregulloren që i detyronte klubet që gjatë një ndeshjeje zyrtare të aktivizohet një lojtar nën moshën 20-vjeçare. Ky ndryshim i rregullores me kërkesë të shumicës së klubeve i ka dëmtuar në masë të madhe talentët, shkruan Gazeta "Zëri".

Trajneri i Kosovës U-21, Rafet Prekazi, vlerëson se rregullorja e re është e dëmshme.

Drejtori sportiv i Prishtinës, Arbnor Morina, thekson se tashmë u është hequr një mundësi talentëve, ndërkohë që futbollisti me shumë përvojë në Kosovë, Robert Gjeraj, mendon se duhet të rikthehet rregullorja e vjetër

Futbolli i Kosovës vazhdon të nxjerrë shumë pak futbollistë për Evropë.

Arsyet se pse ndodh një gjë e tillë janë të shumta.

Në afatin kalimtar që tashmë ka filluar në shumicën e vendeve në Evropë futbolli ynë ende nuk e ka eksportuar asnjë futbollist për ligat e huaja.

Në vitin e kaluar, hiç Florent Hasanin, Leutrim Kryeziun dhe Mirlind Dakun, që kaluan në Evropë, talentët e tjerë të futbollit kosovar e vazhduan karrierën në Kosovë.

Një rregullore, e cila po i “mbyt” talentët, është anuluar.

Me kërkesë të shumicës së klubeve në Kosovë, në edicionin 2017-’18, Federata e Futbollit të Kosovës e ndryshoi rregulloren që i detyronte klubet që gjatë një ndeshjeje zyrtare të aktivizohet një lojtar nën moshën 20-vjeçare.

Kjo rregullore u ndryshua me shumicën e kërkesës së klubeve, të cilat tashmë mund të luajnë vetëm me “pleq” nëse u konvenon një gjë e tillë.

Ky ndryshim i rregullores po konsiderohet si shumë i dëmshëm për futbollistët e rinj.

Përzgjedhësi i Kosovës U-21: Kemi shumë probleme me minutazhën e futbollistëve

Çështjen në fjalë të ndryshimit të rregullores e ka komentuar edhe përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës U-21, Rafet Prekazi.

Trajneri nga Mitrovica deklaron se ndryshimi i rregullores i dëmton futbollistët e rinj, por edhe grupmoshat e reja të Kosovës. “Nëse futbollistët e rinj nuk luajnë si fillim humb lojtari e pastaj humbin edhe ne. Pa lojë asnjë futbollist nuk mund të përparojë. Këtë çështje e dimë më së miri ne në grupmoshat e reja”, ka deklaruar Rafet Prekazi për “Zërin”.

Prekazi ndër të tjera deklaroi se problemet me mosaktivizimin e lojtarëve të rinj e kanë dëmtuar Kosovën U-21, sidomos në repartin e mbrojtjes. “Për disa vite nuk kemi pasur mundësi që të sigurojmë mjaftueshëm futbollistë për repartin e mbrojtjes. Shumë pak lojtarë kanë qenë që kanë luajtur në ekipet e para në Kosovë”, pohoi Rafet Prekazi.

Morina: Talentëve u ka humbur një mundësi

Klubi i Prishtinës ka qenë kategorikisht kundër që kjo rregullore të ndryshohet.

Drejtori sportiv i klubit kryeqytetas, Arbnor Morina, vlerëson se tashmë u është hequr një mundësi talenteve që ta shfaqin potencialin e tyre. “Mendoj se është hequr një mundësi për të rinjtë, por në anë tjetër, ai i cili ka kualitete nuk e ka problem moshën. Mendoj se të gjitha gjërat janë të lidhur me ambiciet e klubeve dhe me trimërinë e tyre për të inkuadruar futbollistë të rinj. Kanë qenë disa klube të cilat e ka iniciuar këtë problem”, ka thënë Arbnor Morina të premten për gazetën “Zëri”. “Ai futbollist i cili ka cilësi duhet që jo vetëm në lojë, por së pari edhe në stërvitje ta tregojë karakterin e tij për t’u inkorporuar në ekipin startues”, shtoi Arbnor Morina.

“Të kthehet rregulli i vjetër”

Robert Gjeraj është njëri ndër futbollistët me më shumë përvojë në futbollin e Kosovës.

Kapiteni i Lirisë së Prizrenit mendon se rregulli i ndryshuar po i dëmton talentët e shumtë në Kosovë. “Rregulli i ri është shumë i keq për futbollistët e rinj, sepse kanë mundësi më pak që të inkuadrohen në lojë. Ata në këtë mënyrë po dëmtohen direkt. Unë propozoj që të futet prapë rregulli i vjetër, në mënyrë që të rritet edhe konkurrenca në mes futbollistëve të rinj dhe të punojnë më shumë. Kjo e bën edhe kualitetin më të mirë në lojë, pasi që lojtarët e rinj japin gjithçka nga vetja”, vlerësoi Robert Gjeraj.