Shkëlqeu si futbollist, synimet e njëjta i ka edhe si trajner

Sport January 16, 2019 - 09:55
Detajet

Erdin Hashani në këtë verë i ka thënë lamtumirë fushave të gjelbra, mirëpo ai ka vendosur të qëndrojë shumë pak centimetra larg vijave kufizuese me fushat e futbollit kosovar.

Ish-mbrojtësi i njohur, i cili ka qenë pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës, ka vendosur ta nisë zejen e trajnerit ndërkohë që së fundmi i është besuar skuadra e Dardanës së Kamenicës, që garon në Ligën e Dytë të Kosovës.

Ish-futbollisti nga Prishtina e ka një karrierë mjaft të pasur si futbollist duke luajtur në shumë klube në Kosovë derisa ka bërë karrierë edhe në Shqipëri, shkruan Zëri.

Në një intervistë për gazetën “Zëri” rrëfehet për përvojën e re tashmë si trajner. “Unë kur e kam lënë futbollin, kam thënë se do të largohen vetëm si futbollist, por jo edhe nga futbolli”, nis bisedën e tij Erdin Hashani.

Dardana është në rrugë të mirë që të rikthehet në Ligën e Parë, pasi vjeshtën e ka përfunduar pa humbje. “Synimet e Dardanës janë që të inkuadrohemi në Ligën e Parë. Siç dihet, skuadra ndodhet në vendin e parë pa asnjë humbje. Kjo na shton edhe më shumë besimin që ta vazhdojmë rrugën që e kemi nisur”, ka deklaruar Erdin Hashani.

Dardana në këtë dimër është përkujdesur për dy transferime bombastike nga Superliga.  Mbrojtësi Liridon Kukaj nga Ballkani i Therandës dhe Oscar Vicente Mendes nga Flamurtari i Prishtinës janë ardhjet e para në ekip. “Kryesisht jemi bazuar në lojtarë të Superligës sepse neve na duhet cilësia për ta ruajtur pozitën e parë. Për këtë duhet thënë se meritor është kryesia e klubit që po na mundëson të sjellim prurje të reja në ekip e që janë tejet cilësore”, vlerësoi Hashani.

Ai ndër të tjera njofton se ardhjet nga Superliga nuk do të ndalen në ekipin e tij. “Nuk do të ndalen me kaq ardhjet nga Superliga. Në ditët në vijim do të ketë prurje të reja”, zbulon Hashani.

Përvoja me Dardanën do t’i shërbejë shumë Hashanit. “Jam me fat që punoj në një klub të organizuar. Kjo përvojë e re për mua po ka sukses, do të thotë shumë për karrierën time të re si trajner. Dardana është klub i organizuar shumë mirë dhe falë punës së secilit në klub, duke filluar nga lojtarët e deri te kryesia e klubit, do t’i arrijmë synimet që i kemi”, potencoi Erdin Hashani.

Ai e përfundoi karrierën si futbollist te skuadra e Ferizajt, në të cilën kontribuoi të inkuadrohet në Superligë në edicionin e kaluar./Zëri/