Vjen një lajm i keq për Interin

Sport January 09, 2019 - 11:55
Detajet

Interi do të jetë i detyruar të luajë pa tifozë sfidën përballë Sassuolos, të vlefshme për javën e 20 të kampionatit italian, për shkak të pezullimit të marrë pas thirrjeve raciste ndaj Koulibaly, në ndeshjen përballë Napolit.

Zikaltrit janë pezulluar me dy ndeshje pa tifozë dhe një të tretë pa pjesën ultras të tifozërisë dhe duket se në klub nuk kanë ndërmend të apelojnë këtë vendim, duke pranuar plotësisht ndëshkimin e ardhur nga Liga Italiane e futbollit, transmeton TCH.

Megjithatë drejtuesit e klubit të Interit sot kanë shkuar në Ligën e Italiane të Futbollit dhe Federatë, me një propozim mjaft interesant, që do të shmangte zbrazëtinë e shkallëve të stadiumit “San Siro”.

Ata kanë kërkuar që unaza e parë e stadiumit të jetë e hapur vetëm për djemtë dhe vajzat e shkollës zikaltër të futbollit, por edhe ata të qendrës sportive italiane, si një mënyrë për të çuar një tjetër sinjal të qartë kundër çdo forme të diskriminimit.

Propozimi i zikaltërve ka gjetur mbështetje të fortë publike, përfshi këtu edhe atë të kryebashkiakut të Milanos, ndërsa shumë shpejt pritet edhe përgjigja nga ana e autoriteteve, që me gjasë do të jetë pozitive.