Menaxheri i Hysajt ngre zërin ndaj Napolit: Qartësoni situatën sa më shpejt!

Sport January 04, 2019 - 22:57
Lajmet e fundit nga sporti

Menaxheri i Elseid Hysajt ka shpërthyer sërish ndaj Napolit dhe Ancelottit, duke u kërkuar atyre që të qartësojnë menjëherë situatën e mbrojtësit te skuadra e kaltër.

Mario Giuffredi, në një intervistë për mediat italiane, ka theksuar se nëse Hysaj nuk bën më pjesë në planet e klubit, atëherë është gati t’i gjejë atij një tjetër skuadër të madhe, për të vijuar karrierën.

“Në verë Hysaj ishte gati të shkonte te Chelsea, bashkë me Sarrin, por Ancelotti e ndaloi, pasi tha se besonte te futbollisti dhe aftësitë e tij. Megjithatë në ndeshjet e fundit e ka lënë në stol pa dhënë shpjegime, gjë që na ka shqetësuar si mua, ashtu edhe lojtarin. Dua që të na bëjnë të qartë situatën e Hysajt në skuadër dhe unë jam gati t’ua largoj shqetësimin, pasi për futbollistin ka shumë klube të interesuara”, tha Giuffredi.

Mediat italiane kanë raportuar shpesh kohët e fundit se Hysaj nuk bën më pjesë në planet e Ancelottit dhe se po punohet për një transferim të tij në Londër te Chelsea, ku do të ribashkohet me Maurizio Sarrin, trajner që e afirmoi në kampionatin italian.