Shaqiri përmend Kosovën në intervistën për faqen zyrtare të Liverpoolit

Sport December 19, 2018 - 17:42
Detajet

Xherdan Shaqiri, padyshim ka qenë transferimi më i mirë i verës së kaluar në Liverpool.

Ylli kosovar me nënshtetësi zvicerane u transferua në Liverpool këtë verë ngs Stoke City për shumën e 13 milionë funtesh.

Jeta e tij, si e çdo futbollisti kosovar ka qenë e vështirë në fillim – si refugjat nga lufta e më pas për t’u bërë i famshëm në mbarë botën.

I tillë ishte edhe Shaqiri, i cili bashkë me familjen e tij la Kosovën për të kaluar në Zvicër, ku zhvilloi karrierë dhe sot njihet si prej më të mirëve te helvetikët, transmeton IndeksOnline.

Në lidhje me vështirësitë, idolin e tij në futboll dhe karrierën aktuale në Angli, Shaqiri ka folur në një intervistë për faqen zyrtare të Liverpoolit.

“Xherdani i ri. Kjo është një foto e këndshme. Dija tashmë si të pozoj”, tha Shaqiri duke qeshur fillimisht pasi pa një foto të tij si i ri me fanellë të Brazilit.

Image

“Fanellë braziliane. Mendoj, se kjo ishte false. Ishte dhurata ime për ditëlindje, sepse ndodhi vetëm pak para Botërorit të vitit 1998”.

“Kam kërkuar fanellën e Ronaldos për ditëlindjen time dhe unë e mbaja atë gjatë gjithë kohës”.

Më pas, Shaqiri shfaqi një fotografi, ku shihej ai në një ekran të madh televiziv, duke u ndjekur nga mijëra zviceranë në një shesh të Zvicrës gjatë një ndeshje të helvetikëve.

”Ndoshta, kur e shihni ju foton e parë, dhe më pas këtë, është diçka e këndshme”.

”Ka shumë punë, dhe natyrisht shumë talent mbrapa kësaj dhe kjo më bën mua krenar”.

”Nga një fëmijë i vogël, në një idol. Po, kjo është e mrekullueshme për ta parë”, vazhdoi Shaqiri.

Tutje, Shaqiri foli pak edhe për familjen e tij në këtë rrëfim.

”Familja ime. Gjëja më e rëndësishme në botë. Nuk vij nga familja më e pasur, kështu që është e këndshme t’i shohësh njerëzit që janë mbrapa meje”.

”Prindërit e mi, gjithnjë punonin shumë, babai im ishte punëtor i rrugëve, ai punonte shumë për familjen tonë, ai gjithashtu kujdesej për familjen në Kosovë, të cilët ishin të varfër, gjithashtu”.

”Jam shumë krenar me ta”, theksoi Shaqiri.

Shaqiri, gjithashtu njihet për fizikun e tij të fortë, si dhe për këmbët e tij të formësuara, dhe për këtë gjë ai e falënderon Zotin.

”Veçanarisht këtu në Angli, është e vështirë të luash në Premier League sepse ju duhet të jeni të fortë”.

”Natyrisht, jam i lumtur. Faleminderit Zotit, ai më dha mua këtë afëtsi apo forcë në këmbët e mia”.

”Shumë njerëz mendojnë se unë jam në palestër gjithë ditën, por nuk është e vërtetë kjo”.

Përveç futbollit, Xherdani ka zbuluar se e pëlqen muzikën, sidomos kitarën.

Image

”Po, më pëlqen muzika, më pëlqen kitara. Do të doja të mësoja, ndoshta është gjëja e ardhshme që mund ta provoj”.

Për fund, ai foli edhe për momentin kur u prezantua si lojtar i Liverpoolit.

”Në këtë moment, ishim duke qeshur me Jurgen. Po, të dy ishim të lumtur me këtë marrëveshje dhe ne mund ta fillonim kapitullin tonë”.

”Unë shpresoj se mund të kemi shumë sukses së bashku”.

”Po, gjëja më e rëndësishme është t’i fitojmë ndeshjet dhe ëndërra ime është ta fitoj tituj me këtë klub”, përfundoi Shaqiri.