Prishtina do fitore

Sport December 19, 2018 - 10:18
Detajet
Image

Prishtina do ta kërkojë sonte fitoren e parë në fazën e dytë të FIBA Europe Cup. Bardhekaltrit do të kenë punë me kampionin e shumëfishtë hungarez, Szolnoki Olaj. Trajneri Damir Mulaomerovic është i vetëdijshëm se kryeqytetasit i pret punë e vështirë, por shprehet optimist për sukses para “Plisave”, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Z Mobile Prishtina do ta kërkojë sonte fitoren e parë në fazën e dytë të grupeve të FIBA Europe Cup. Bardhekaltrit u mposhtën javën e kaluar në Gjermani nga skuadra vendëse s.Oliver Wurzburg 77:95 në ndeshjen e parë të kësaj faze, të cilën e arritën për herë të parë në histori.

Megjithatë, kryeqytetasit janë ambiciozë dhe do të mundohen ta shijojnë fitoren e parë në Grupin I qysh në ndeshjen e sontme ndaj ekipit Szolnoki Olaj, e cila do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00.

Trajneri Damir Mulaomerovic është munduar ta përgatisë sa më mirë ekipin për ndeshjen e sontme. Ai e pranon se prishtinasit do të kenë punë të vështirë pasi do të kenë punë me kampionin e shumëfishtë hungarez.

Mulaomerovic, i cili njëherësh është edhe përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës, shprehet optimist për ta fituar ndeshjen e së mërkurës mbrëma. “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Përballë e kemi një kundërshtar edhe më të fortë sesa në ndeshjen e parë, por jam optimist në sukses, pasi pres që lojtarët ta japin maksimumin dhe gjithashtu tifozët të na ndihmojnë me përkrahjen e pashoqe që ta arrijmë qëllimin”, deklaroi trajneri i prishtinasve.

“Plisat” si përherë pritet të jenë të pranishëm në palestër në përkrahje të klubit të tyre të zemrës me shpresën që Dardan Berisha me shokë ta shijojnë fitoren e parë në këtë fazë.

Siç dihet, Prishtina e kishte nisur sezonin në Champions League, ku ishte eliminuar herët, ndërsa në FIBA Europe Cup u tregua e suksesshme duke e kaluar fazën e parë pasi dominoi në grup, ndërsa tash do të mundohet të shkojë sa më larg në fazën e dytë, edhe pse do të ketë punë mjaft të vështirë./Zëri

FIBA Europe Cup

Grupi I

E mërkurë

18:30 Pinar Karsiyaka – s.Oliver Wurzburg

19:00 Prishtina – Szolnoki Olaj