Anglia, Austria, Turqia e Shqipëria? Këto janë ambiciet e Kosovës!

Sport December 12, 2018 - 10:24
Detajet
Image

Përfaqësuesja e Kosovës U-21 ka përfunduar në grup mjaft të vështirë për kualifikimet e “Evropianit 2021”. Anglia, Austria, Turqia, Shqipëria e Andorra janë pesë kundërshtarët e “Dardanëve të Rinj”, të cilët megjithatë premtojnë se do të tentojnë t’i përsërisin paraqitjet bravuzore e kualifikimeve të kaluara dhe të dalin faqebardhë nga kjo kampanjë kualifikuese. Përzgjedhësi Rafet Prekazi thotë se do të mundohet ta nxjerrë më të mirën nga lojtarët e rinj pasi U-21-shi është duke e ndërruar gjeneratën. Trajneri mitrovicas zbulon se nuk e donte Shqipërinë në grup

Përfaqësuesja e Kosovës U-21 i ka mësuar të martën emrat e kundërshtarëve për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2021 në shortin e hedhur në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, ku Kosovën e përfaqësuan drejtori teknik Michael Nees dhe menaxheri i Përfaqësueses U-21 Zgjim Sojeva.

“Dardanët e Rinj” kanë përfunduar në Grupin 3, i cili mund të konsiderohet mjaft i vështirë pasi në grup kanë ekipe të fuqishme si Anglia, Turqia, Austria, ndërsa krahas Andorrës fati deshi që në këtë grup të përfundonte edhe Shqipëria, shkruan sot gazeta Zëri.

Ekipi U-21 i Kosovës ka qenë mjaft i suksesshëm dhe ka bërë paraqitje bravuroze këto dy vjet dhe kjo jep shpresë se Verdhekaltrit do të dalin mirë edhe në këto kualifikime.

Image

Prekazi: Grup i vështirë, ta japim maksimumin

Përzgjedhësi Rafet Prekazi e ka vlerësuar si të vështirë grupin në të cilin ka përfunduar Kosova.

Por ai premton se do të mundohet ta nxjerrë më të mirën nga lojtarët e tij për të performuar si në kualifikueset e fundit, kur Kosova U-21 bëri sensacion dhe i befasoi të gjithë me paraqitjet e saj.

Sidoqoftë, tash do të jetë paksa më e vështirë pasi tash është duke u ndërruar gjenerata dhe nevojitet kohë derisa të komponohet ekipi i ri.

“Është një short pak i vështirë, por ne kemi dalë në vazon e katërt dhe kundërshtarët janë krejt të fortë. Fundi i fundit, nuk ka ekip të dobët në Evropë”, u shpreh fillimisht trajneri mitrovicas për “Zërin”.

“Tek ne është koha e ndërrimit të gjeneratës. Sidoqoftë, ne do të mundohemi t’i përsërisim kualifikimet e kaluara, ashtu diçka. Duhet t’i përsërisim lojërat e mira edhe pse kundërshtarët janë mjaft të fortë. Do ta japim maksimumin dhe nuk dyshoj te lojtarët që do të vijnë të luajnë për Kosovën”, vazhdoi ai.

Prekazi nuk ka dhënë parashikime rreth asaj se ku mund të shkojë Kosova në këto kualifikime, por ajo çka premton është se do t’ia bëjë hyzmetin në mënyrë që kjo skuadër t’ia zbardhë fytyrën vendit tonë.

“Herët është të japim vlerësime. Gjenerata po ndërrohet, ka lojtarë që po shkojnë e të tjerë që po vijnë. Unë do të vazhdoj t’i promovoj lojtarët që luajnë në Kosovë, por do t’i afrojmë edhe ata që luajnë jashtë, duke e bërë kështu një gërshetim. Nevojitet shumë punë”, nënvizoi trajneri i U-21 të Kosovës.

Prekazi i falënderon lojtarët që kanë qenë deri më tash pjesë e ekipit U-21, për të cilët thotë se e kanë dhënë maksimumin, derisa tash është koha për freskimin e ekipit.

Ai thotë se është krenar që 5-6 lojtarë të cilët kanë mundur të luajnë për U-21 të Kosovës kanë kaluar në Përfaqësuesen A dhe beson se kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen me lojtarët, të cilët do t’i kalojnë ekipet zinxhirore të Kosovës për të përfunduar në ekipin senior.

Image

Nuk e deshi Shqipërinë në grup

Trajneri Prekazi kishte preferuar kundërshtarë tjetër nga vazoja e pestë e jo Shqipërinë.

Megjithatë, ai thotë se Kosova do të luajë ndaj Shqipërisë si ndaj çdo kundërshtari tjetër duke u fokusuar vetëm tek aspekti sportiv.

“Nuk është ndeshje e veçantë, është si krejt ndeshjet tjera. Nuk kam pasur qejf të jemi në grup me Shqipërinë, por pasi ne ishim në vazon e katërt e ata në të pestën është pritur diçka e tillë. Futbolli është kështu, asnjëherë nuk i kam shikuar aspektet tjera me Shqipërinë, pasi krejt jemi shqiptarë”, përfundoi Prekazi.

53 ekipe përfaqësuese janë ndarë në tetë grupe nga gjashtë ekipe dhe një me pesë ekipe.

Nëntë fituesit e grupeve do të kualifikohen direkt në “Evropianin 2021”, ndërsa ekipet e dyta me statistikat më të mira ndaj ekipeve të para, të treta, të katërta e të pesta në grupet gjegjëse do të shkojnë në “Play-Off” për t’i plotësuar vendet e fundit të lira për këtë kompeticion prestigjioz, të cilin do ta organizojnë së bashku Hungaria dhe Sllovenia.

Fushata kualifikuese nis më 18 mars 2019, ndërsa mbyllet më 13 tetor të vitit 2020. /Zëri/

Kualifikimet e “Evropianit 2021”

Grupi 3

Anglia

Austria

Turqia

Kosova

Shqipëria

Andorra