FC Prishtina feston fundvitin

Sport December 10, 2018 - 10:17

FC Prishtina e ka mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2018, shkruan sot gazeta Zëri.

Bardhekaltrit kanë shkuar në pushim dimëror me rezultate shumë pozitive dhe mjaft shpresëdhënëse se pranvera do t’ua sjellë të dyja trofetë – titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.

Ekipi i Mirel Josës fillimisht e mbylli sezonin vjeshtor si lider i Superligës, ndërsa të shtunën me fitoren prej 4:0 si mysafir i Lirisë arriti të kualifikohet në çerekfinale të Kupës.

“Ishte ndeshje shumë e rëndësishme për ne për faktin që pretendojmë në të dyja anët, qoftë në Kupë, qoftë në kampionat. Gjithashtu ishte e rëndësishme për mbylljen e vitit me fitore sepse e dinim që kjo ndeshje ishte pa kthim mbrapa. Megjithatë, jam i kënaqur në përgjithësi nga komplet impenjimi i lojtarëve gjatë kësaj periudhe dhe gjithashtu do t’u uroja të gjithëve të kenë pushime të mbara, komplet komunitetit futbollistik të Kosovës”, ka thënë Josa, i cili festat e fundvitin do t’i presë në Tiranë, për t’u kthyer pastaj në Kosovë që ta bëjë gati skuadrën për sfidat vendimtare të sezonit pranveror. Josa do të jetë i koncentruar vetëm në planprogramin e tij përgatitor, por jo edhe në afatin kalimtar të janarit për futbollistë.

“Nuk mendoj fare për përforcime. Lojtarët të cilët kanë luajtur në këtë stinor e kanë kryer detyrën e tyre mjaft mirë dhe unë jam i kënaqur me të gjithë, pasi që të gjithë kanë dhënë maksimumin për aq minuta sa kanë luajtur”, ka thënë ai.

“Planet mund të ndryshojnë vetëm nëse ka ndonjë futbollist që nuk është i kënaqur me minutazhën, por është normale që ne nuk mund t’i kënaqim të gjithë, në të kundërtën ne nuk do të bëjmë asnjë përforcim”, ka potencuar Josa.

Visar Bekaj ndjek rekordin

Visar Bekaj është njëri prej më meritorëve në sukseset vjeshtore të FC Prishtinës.

Ai është bërë një portier aq i vështirë për t’u mposhtur nga kundërshtarët, saqë po ndjek rekord në klubin më të madh kosovar, i cili nuk i kursen lëvdatat për yllin e ri të vet.

“Portieri Visar Bekaj së bashku me mbrojtësit të ndihmuar me mesfushën nuk kanë pranuar gol në dhjetë ndeshje rresht dhe është larg rekordit të ish-portierit të Prishtinës Labinot Qosa vetëm edhe dy ndeshje”, thuhet në uebfaqen zyrtare të FC Prishtinës.

“Qosa kishte 12 ndeshje kampionale rresht pa pranuar gol, në mesin e atyre ndeshjeve kishte pranuar gola në 3 ndeshje për Kupë dhe kjo seri tani e Bekajt e ndihmuar nga bashkëlojtarët është edhe më e veçantë dhe mbase do t’ia dalë të ruajë portën pa prekur edhe në dy ndeshjet e para të vitit 2019”, ka potencuar klubi Bardhekaltër. /Zëri/