Projekti 400-milionësh i Ajaxit

Sport December 04, 2018 - 12:55

Ajaxi mund të krijojë një pasuri të tërë nëse arrin t’i shesë yjet e tij në një të ardhme të afërt. Gjiganti holandez mund të arkëtojë deri në 400 milionë euro në rast se arrin të shesë disa prej yjeve momentalë të ekipit. Klube të mëdha evropiane tashmë janë vënë në kërkim të futbollistëve të klubit holandez

Ajaxi pritet të arkëtojë të ardhura të mëdha nëse arrin t’i shesë yjet e tij gjatë një të ardhme të afërt, shkruan sot gazeta Zëri.

Klubi holandez momentalisht është duke rritur disa prej talenteve më të mëdha në Evropë.

“Goal.com” sjell disa prej yjeve të gjigandit holandez, që mund të shiten me vlera multimilionëshe në një të ardhme të afërt.

Frenkie de Jong

Frenkie de Jong nuk është i lumtur me reputacionin e tij si “Johan Cruyff i Ri”, por mesfushori 21-vjeçar duhet të mësohet me këtë gjë nëse vazhdon të shkëlqejë me Ajaxin dhe me Holandën. Duket e pashmangshme që ai të bëhet shitja më e madhe në historinë e Ajaxit, derisa Manchester City thuhet se është duke përgatitur një ofertë prej 70 milionë eurosh në drejtim të klubit holandez në mënyrë që të mposhtë konkurrencën e Barcelonës. Ai është kthyer në një futbollist kyç për Ajaxin. De Jong gjithashtu është duke u kthyer në njërin prej liderëve të përfaqësueses së Holandës, pavarësisht se ka debutuar vetëm në shtator.

Matthijs de Ligt

Vetëm një vit pasi Virgil van Dijk u bë mbrojtësi më i shtrenjtë në histori të futbollit, tashmë është duke u folur që futbollisti i Liverpoolit të tejkalohet nga bashkëkombësi i tij. De Ligt mund të jetë vetëm 19-vjeçar, por as nuk duket e as nuk luan sikur të ketë këtë moshë. Ai është një bishë, një lider dhe vetëm sa do të përmirësohet. Lider i mbrojtjes së Ajaxit dhe kapiten i ekipit. Humbja e vetme e Ajaxit këtë edicion 3:0 nga PSV-ja ka ardhur kur De Ligt ka munguar. Ai e pati një debutim të tmerrshëm me kombëtaren e Holandës kundër Bullgarisë në mars të vitit 2017, por tashmë ai e ka çimentuar vendin e tij në ekipin e Ronald Koemanit. Ai shihet si një partner solid i Van Dijkut. Barcelona dhe Manchester City janë vetëm dy prej klubeve të njohura evropiane që kanë shprehur interesim për të. Edhe nëse ai nuk e thyen rekordin e Van Dijkut prej 85 milionë eurosh, ai së paku do t’i afrohet kësaj vlere.

Hakim Ziyech

Që 25-vjeçari Hakim Ziyech luan ende në ligën holandeze është një mister i vërtetë, ashtu siç është një bekim për Eredevisien. Janë bërë gjashtë vjet prejse ai u paraqit për herë të parë në ligë dhe shpejt u kthye në një yll për Heerenveenin para se t’i bashkohej Twentes dhe shkëlqimi i tij të vazhdonte edhe më shumë. Ajaxi e transferoi në gusht të vitit 2016 dhe menjëherë në ekip u kthye magjia që kishte munguar pas largimit të Christian Eriksenit në vitin 2013. Edhe pse mesfushori me tipare sulmuese gjuan shpeshherë në portë, ai mund të dhurojë edhe pasime mjaft kreative dhe ka krijuar një partneritet të mirë me Dusan Tadicin këtë edicion, të dy kanë realizuar nga shtatë gola dhe katër asistime në ligë. Ai ka kontratë me Ajaxin deri në vitin 2021, kështu që klubi është në gjendje të kërkojë deri në 40 milionë euro për shërbimet e tij.

Nicolas Tagliafico

Me tre gola dhe shtatë asistime në të gjitha garat deri më tani, Tagliafico ka qenë një sensazicion te Ajaxi që prej transferimit të tij nga Independiente në janar për 4.5 milionë euro. Ai kishte bërë tashmë 103 paraqitje me klubin argjentinas pasi kishte shkëlqyer me Banfieldit dhe në kategorinë e dytë spanjolle me Real Murcian. Barcelona, Atletico Madrid dhe Arsenali tashmë kanë shprehur interesim, por edhe më shumë klube janë duke e vëzhguar. Falë talentit të tij Ajax mund të kërkojë mbi 25 milionë euro për të.

David Neres

Ajaxi duhet të mësohet që t’i përballojë ofertat e klubeve tjera nëse dëshirojnë të nxjerrin të gjithë investimin që kanë bërë për sulmuesin brazilian. 21-vjeçari e zbuloi se Borussia Dortmundi dhe Roma kanë tentuar që të nënshkruajnë me të gjatë verës, por ai vendosi që të qëndrojë në Amsterdam dhe në shtator e vazhdoi kontratën e tij deri në vitin 2022. I zhdërvjellët, i aftë dhe një driblues i mirë, Neves është mjaft i vështirë që të ruhet nga mbrojtësit anësorë kundërshtarë.

Kasper Dolberg

Lëndimet e kanë ndërprerë zhvillimin e Dolbergut gjatë vitit 2018, por shumë shpejt ai është rikthyer në formën e tij. Reprezentuesi danez ka shënuar gjashtë gola në nëntë ndeshje këtë edicion dhe e ka rinovuar kontratën e tij deri në vitin 2022 gjatë tetorit. Ai është në edicionin e tij të tretë në ekipin e parë dhe ka qenë mjaft efikas për Ajaxin, gjë që ka tërhequr interesimin e Napolit dhe të Barcelonës. Vlera e tij mund të shkojë mbi 35 milionë euro në momentin kur Ajaxi t’i dëgjojë ofertat për të.

Donny van de Beek

Donny van de Beek ka qenë në rritje të vazhdueshme te Ajaxi prejse ishte në akademi, ku shkëlqeu së bashku me Abdelhak Nourin në mesfushë, derisa përparonin në ekipet e moshave. 21-vjeçari arrin të kombinojë mjaft mirë me bashkëlojtarët e tij për të krijuar raste për gol. Manchester Unitedi, Tottenhami, Roma dhe Milani janë interesuar për mesfushorin që është paraqitur në mbi 100 paraqitje në të gjitha garat që prej debutimit të tij para tre vjetësh. Nëse vazhdon me këtë ritëm, interesimi për të vetëm sa do të rritet.

Andre Onana

I transferuar nga Barcelona në vitin 2015, reprezentuesi kamerunas ka qenë një portier i jashtëzakonshëm për gjigandin holandez. 22-vjeçari tashmë ka bërë mbi 100 paraqitje për Ajaxin, edhe pse ka bërë disa gabime, ai ka qenë i pranishëm në portë që prej largimit të Jasper Cillessenit. Dështimi i Ajaxit në luftën për titullin me PSV-në bëri që ai ta mendojë largimin nga klubi. Por ai qëndroi në Amsterdam dhe duke qenë njëri prej portierëve më të mirë në ligë, ai pritet të tërheqë vëmendjen e klubeve të mëdha para se kontrata e tij të skadojë në vitin 2021.

Noussair Mazraoui

Pasi i ishte bashkuar Ajaxit në moshën 8-vjeçare, Mazraoui u rrit në akademinë e klubit si mesfushor, por shkëlqimi i tij ka ardhur si mbrojtës i djathtë dhe tashmë ai e ka blinduar vendin e tij në ekip. 21-vjeçari ka qenë i jashtëzakonshëm në krahun e djathtë dhe tashmë ka shënuar dy gola në Ligën e Kampionëve. Ende në edicionin e tij të parë me ekipin senior, Ajax do të mundohet që ta mbajë të riun, i cili ka edhe dy vjet e gjysmë kontratë me klubin holandez.

Max Wober

20-vjeçari Max Wober ka pasur minuta të limituara këtë edicion pas rikthimit në Ajax të Daley Blindit, por ka shkëlqyer me klubin pasi u transferua nga Rapid Vienna në vitin e kaluar. Ai u bë i rëndësishëm për Ajaxin në qendër të mbrojtjes para se të lëndohej në gju. Reprezentuesi austriak ka qenë i acaruar me rolin e tij si zëvendësues këtë edicion dhe ka arsye për të pritur më shumë pas një paraqitjeje të shkëlqyeshme ndaj Bayern Munichut në Ligën e Kampionëve. Me kontratën e tij që skadon në vitin 2021, ai ka kohë që të stabilizojë veten në repartin e mbrojtjes së klubit dhe të përfaqësues para se të lëvizë ndokund tjetër në Evropë. /Zëri/