Të mërzitur, por s’dorëzohen kurrë!

Të mërzitur, por s’dorëzohen kurrë!

Sport nëntor 16, 2018 - 10:39
Image

Boksierja Donjeta Sadiku, trajneri i saj, Besim Brahimi dhe referi ndërkombëtar Latif Demolli ndihen mjaft të dëshpëruar për faktin se nuk mundën të pajiseshin me viza të Indisë për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, i cili filloi të enjten, shkruan Zeri.info.

Trajneri Brahimi thotë se një sportiste si Donjeta nuk e ka merituar një tretman dhe diskriminim të tillë pas përgatitjeve që i kanë bërë së bashku me muaj të tërë.

“Po na bëhet një e padrejtë. Edhe vitin e kaluar në është bërë një padrejtësi e njëjtë pasi nuk e lejuan Donjetën të merrte pjesë në Botërorin për të reja. Donjeta është shumë e mërzitur që nuk ju lejua pjesëmarrja në këtë Botëror pasi kemi bërë përgatitje të mëdha, afro 8 muaj vetëm e vetëm që të jemi në formën e duhur për këtë Botëror. Edhe unë jam i mërzitur që nuk na u lejua pjesëmarrja”, thotë Brahimi i dëshpëruar për “Zërin”.

Pas presionit të vazhdueshëm që iu bë Qeverisë indiane nga institucionet më të larta sportive botërore, por edhe nga mediat e huaja, trajneri i suksesshëm kishte pritur që indianët të lëshonin pe.

Image

Mirëpo, këta të fundit u treguan të vendosur dhe e lanë ekipin e Kosovës jashtë Botërorit.

“Ne kemi pritur dhe shpresuar pas Federata e Boksit të Indisë, Komiteti Olimpik i Indisë dhe Federata Botërore e Boksit në mbledhjen e mbajtur në Dubai e kanë kushtëzuar dhe kërcënuar Indinë se nëse nuk e lejon Kosovën të marrë pjesë, më nuk do t’ia japë këtij shteti organizimin e evenimenteve të boksit. Por, përsëri India e gënjeu Federatën Botërore të Boksit dhe nuk na la të marrim pjesë”, shton Brahimi.

Fajtore, Ministria e Jashtme e Indisë

Krejt fajin për mbetjen jashtë të Botërorit, trajneri kosovar i boksit ia lë Ministrisë së Jashtme të Indisë, e cila ishte kategorike që mos ta pajiste me viza ekipin e Kosovës, edhe pse treshja Sadiku, Brahimi, Demolli kishin edhe pasaporta shqiptare.

“Fajtor për këtë punë është vetëm Ministria e Jashtme e Indisë. Sepse, vetëm kjo Ministri ka ngulur këmbë që kosovarët nuk mund të hyjnë në territorin e Indisë për shkak se ky vend nuk e njeh Kosovën si shtet”, shpjegon trajneri i boksit.

Image

Donjeta do t'i tregojë botës se sa vlen!

Donjeta Sadiku ka mbetur e shokuar pasi kjo është hera e dytë që i mohohet pjesëmarrja në Botëror nga shteti indian brenda një viti.

Megjithatë, boksierja kosovare nuk e ka ndërmend të dorëzohet kurrë.

Përkundrazi, ajo është super e motivuar që në të ardhmen t’i tregojë Indisë dhe krejt botës se sa vlen.

“Donjeta është shumë e mërzitur, por shumë më e fortë. Sepse, Donjeta e di se pas dy vjetësh mbahet Kampionati Botëror dhe përsëri s’ka të ndalur. Ajo nuk do të lë pa u bërë e para e botës sepse është vetëm 19 vjeçare. Ne nuk do të dorëzohemi dhe do t’i tregoj botës se jam njëshi i botës”, ka përfunduar Brahimi. /Zëri/