“Tradhtarët” e kombëtareve

“Tradhtarët” e kombëtareve

Sport tetor 11, 2018 - 12:36
Detajet

Largimi i lojtarëve prej një përfaqësuese në drejtim të një tjetre nuk i ndodh vetëm Kosovës. Rastet e tilla janë të shumta në botën e futbollit. Njëri prej sulmuesve më të mirë të të gjitha kohërave - Alfredo di Stefano ka luajtur për tri përfaqësuese, ndërkohë që Diego Costa kishte braktisur Brazilin për Spanjën. Në mesin e këtyre futbollistëve gjendet edhe futbollisti shqiptar Arijan Ademi, i cili e kishte lënë Kroacinë për Maqedoninë

Lënia e një përfaqësuese të futbollit për një tjetër nuk është e pazakontë në botën e futbollit, madje ka mjaft raste të tilla. Përveç Kosovës, raste të tilla i kanë ndodhur edhe fuqive të futbollit si Brazili, Anglia e Kroacia. “Sky Sports” sjell disa prej tyre.

Wilfried Zaha (2 paraqitje për Anglinë, 8 paraqitje për Bregun e Fildishtë)

Sulmuesi i Crystal Palacet, Zaha, ishte ftuar në ekipet e reja të Anglisë para se Roy Hodgson ta ftonte në ekipin e parë për një ndeshje miqësore ndaj Suedisë në nëntor të vitit 2012. Ai pati një paraqitje të shkurtër më pas edhe në fitoren 3:2 ndaj Skocisë, por ai nuk arriti që të paraqitej në një ndeshje garuese, kështu që Federata e Futbollit të Bregut të Fildishtë e shfrytëzoi rastin për ta rrëmbyer dhe ai shko në drejtim të tyre para Kupës së Kombeve të Afrikës në 2017-n, pavarësisht lutjeve të Gareth Southgatet.

Nacer Chadli (1 paraqitje për Marokun, 51 paraqitje për Belgjikën)

Falë luksit të të pasurit shtetësi të dyfishtë, Chadli që kishte lindur në Belgjikë ishte në një pozitë të rrallë për të zgjedhur shtetin për të cilin do të luajë dhe pas paraqitjeve të mira me Twenten, trajneri i Marokut Eric Gerets e ftoi sulmuesin në barazimin 1:1 në miqësoren ndaj Irlandës së Veritur në nëntor të 2010-s. Por pas vetëm 84 ditësh Chadli, i cili ishte transferuar te Monaco, bëri debutimin me vendin ku kishte lindur në një miqësore ndaj Finlandës. Ai ka mbetur pjesë e rëndësishme e ekipit të Roberto Martinezit dhe shënoi golin e fitores kur belgët fituan 3:2 ndaj Japonisë në minutat e fundit në të tetën e finales së Kupës së Botës në Rusi.

Diego Costa (2 paraqitje për Brazilin, 24 paraqitje për Spanjën)

Costa kishte shkaktuar zhurmë në Brazil kur kishte kërkuar leje nga Federata për të luajtur për Spanjën pasi e mori shtetësinë e këtij shteti në korrik të vitit 2013. Ai e kishte bërë para vetëm disa muajsh debutimin dhe kishte shpresa që ai të ishte pjesë e Brazilit për Kupën e Botës të vitit 2014. Kërkesa e tij u prit me përbuzje me Luis Felipe Scolarin që tha: “Ai është duke ia kthyer shpinën ëndrrës së milionave njerëzve për të përfaqësuar ekipin tonë kombëtar, pesë herë kampionin e botës në Brazil”. Costa nuk pati sukses me Spanjën dhe ishte vërshëllyer në Brazil, ndërsa arriti të shënojë tri herë në “Rusia 2018”.

Alfredo di Stefano (6 paraqitje për Argjentinën, 4 paraqitje për Kolumbinë, 31 paraqitje për Spanjën)

Legjenda e Real Madridit, Di Stefano e shijoi një karrierë ndërkombëtare të shkëlqyeshme, por edhe të çuditshme. Njëri prej sulmuesve më të mirë të viteve 50-a dhe 60-a, ka luajtur për River Platen, Millonarios dhe Real Madridin, ndërsa gjatë këtyre aventurave atij i është lejuar të luante për secilin shtet. I lirë nga rregullat moderne të FIFA-s, Di Stefano luajti për Argjentinën, për Kolumbinë dhe për Spanjën. Sidoqoftë, pas dështimit të Argjentinës për t’u kualifikuar në Botëroret e viteve 1950 dhe 1954 dhe moskualifikimit të Spanjës në Botërorin e vitit 1958, atij i është mohuar mundësia për të luajtur në këtë kompeticion.

Alex Bruce (2 paraqitje për Irlandën, 2 paraqitje për Irlandën e Veriut)

Një veteran i kategorisë së dytë angleze, duke luajtur në 10 klube poshtë Premierligës, qendërmbrojtësi mori vëmendjen e medieve në vitin 2011 pasi u largua nga përfaqësuesja e Republikës së Irlandës për Irlandën e Veriut. Kjo ndodhi për shkak të lidhjes së gjyshes së babait të tij dhe faktit se ishte paraqitur në vetëm një ndeshje miqësore për Irlandën. Atij i është dashur të priste deri në shkurt të 2013-s për të bërë paraqitjen e dytë ndërkombëtare, ndaj Maltës.

Jermaine Jones (3 paraqitje për Gjermaninë, 69 paraqitje për SHBA-në)

I lindur në Frankfurt nga një nënë gjermane dhe një baba afrikano-amerikan, Jones kaloi 15 vjetët e para të karrierës së tij në Gjermani, me një huazim të shkurtër te Blackburni në vitin 2011. Pavarësisht se ishte favoriti i tifozëve te Frankfurti dhe i ekipit U-21 të Gjermanisë, ai deklaroi se është i lirë për SHBA-në në vitin 2009, për shkak se nuk bënte pjesë në planet e Joachim Lowit. Edhe pres mungoi në Kupën e Botës të vitit 2010 për shkak të një lëndimi, Jones ka hyrë në histori të ekipit amerikan duke realizuar një gol të bukur në barazimin ndaj Portugalisë në 2014-n. Mesfushori ishte zgjedhur si “Lojtari më i Mirë i Amerikës”, derisa përfunduan në vendin e katërt të Copa America Centenario, ndërsa vitet e fundit i kaloi duke bërë karrierë në ligën amerikane të futbollit.

Josip Weber (3 paraqitje për Kroacinë, 8 paraqitje për Belgjikën)

I lindur në Slavonski Brod të Jugosllavisë, Weber bëri emër falë golave të realizuar gjatë tre vjetëve me klubin e vendlindjes, duke shënuar 130 gola në 240 ndeshje. Ai e vazhdoi këtë formë kur iu bashkua Cercle Brugget në vitin 1988, duke shënuar edhe 136 gola në 204 ndeshje, por ishte vetëm gjatë gjysmës së rrugës së tij në Brugge kur ai u ftua nga Kroacia. Ai shënoi një herë në tri ndeshje miqësore në vitin 1992, por më pas u lejua që të luajë për Belgjikën për shkak të gjyshit belg dhe faktit që Kroacia nuk u pranua nga FIFA deri në vitin 1993. Weber ishte pjesë e skuadrës belge në Botërorin e vitit 1994 dhe gjithashtu shënoi pesë prej gjashtë golave të tij në arenën ndërkombëtare në fitoren 9:0 ndaj Zambisë në një miqësore.

Arijan Ademi (3 paraqitje për Kroacinë, 6 paraqitje për Maqedoninë)

Pasi ishte paraqitur për Kroacinë në çdo ekip të të rinjve prej U-18 deri në U-21, paraqitja e parë për ekipin senior erdhi ndaj Koresë së Jugut në shkurt të vitit 2013 dhe më pas pasuan edhe dy ndeshje të tjera. Por, pasi Niko Kovac nuk e ftoi atë në Botëror të vitit 2014, Ademi, i cili është shqiptar nga Maqedonia, deklaroi që do të luajë për Maqedoninë. Pasi që ishte dënuar për katër vjet për shkak të dopingut, ai mbeti në Dinamo dhe është lejuar që të luajë gjatë 12 muajve të fundit. 

Heinz Barmettler (1 paraqitje për Zvicrën, 11 paraqitje për Republikën Dominikane)

Së fundmi ishte parë duke luajtur për SC Freiburgun II, qendërmbrojtësi Barmettler e bëri debutimin me Zvicrën në vitin 2009, derisa ishte në Zurich. Mbrojtësi ishte i rregullt në skuadrën U-21 gjatë periudhës 2006-2009, por pasi luajti 90 minuta në humbjen 1:0 ndaj Norvegjisë shërbimet e tij nuk u kërkuan më dhe në vitin 2012 ai e mori vendimin për të përfaqësuar shtetin e nënës së tij, Republikën Dominikane dhe më vonë u bë kapiten i ekipit.