Superkupa e Prishtinës

Sport September 16, 2018 - 18:46
Lexoni më shumë detaje

Prishtina është skuadër superiore e basketbollit të Kosovës. Të tillë e ka bërë Superkupa e Kosovës të cilën bardhekaltrit e fituan të dielën në kryeqytet, ku si fitues të Kupës të sezonit të kaluar e sfiduan kampionin në fuqi, Bashkimin, të cilin e mposhtën pa problem, me 38 pikë dallim, 88:50, raporton "Zeri.info".

Nënkampionët e nisën furishëm ndeshjen përballë kampionëve nga Prizreni, prej të cilëve e kishin humbur luftën për titullin e kampionit në kampionatin e fundit.

Bardhekaltrit i treguan dhëmbët qysh në fillim duke e fituar çerekun e parë me 20 pikë epërsi, 27:7. Portokallinjtë nuk arritën t’i bëjnë ballë Prishtinës as në çerekun e dytë, të cilin po ashtu e humbën me rezultat 24:16.

Kështu, pjesa e parë përfundoi me rezultat 51:23. Ndërsa, fituesi thuajse dihej herët dhe pjesën e dytë të lojës kryeqytetasit e zhvilluan vetëm sa për sy e faqe.

Çerekun e tretë e fitoi Bashkimi me rezultat 12:14, por në periudhën e katërt të lojës prishtinasit sërish e kthyen dominimin duke e fituar edhe këtë pjesë-lojë me rezultat 25:13, raporton më tutje "Zëri".

Kështu, ndeshja u mbyll me rezultat përfundimtar 88:50, rezultat ky që e sjell në kryeqytet edhe një tjetër trofe të rëndësishëm, të cilin e fituan për herë të parë disa përforcime të Prishtinës, përfshirë trajnerin e ri, Matthias Zollner.

“Kërkohet punë dhe angazhim për t’u fituar çdo ndeshje, andaj ne punuam dhe e fituam këtë trofe. Tani jemi në prag të paraqitjes në Ligën e Kampionëve ku të enjten luajmë me Groningenin. Tani duhet t’i përqendrohemi ndeshjes së madhe dhe shumë të vështirë që po na pret”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, trajneri i Bashkimit, Krunoslav Krajnovic, është munduar ta arsyetojë humbjen.

“Prishtina ka skuadër të fortë me basketbollistë shumë cilësorë. Kurse ne deri para pak kohësh kishim probleme të ndryshme dhe mezi e kemi zgjeruar ekipin me basketbollistë. Kurse, tani na mbetet të punojmë shumë në mënyrë që gjatë sezonit të ri të mundohemi t’i përsërisim sukseset e edicionit të kaluar”, ka thënë Kruno, raporton "Zëri".

Fitojnë edhe femrat e Prishtinës

Përpos konkurrencës së meshkujve, ku Prishtina e fitoi Superkupën përballë Bashkimit, kryeqyteti të dielën u stolis edhe me një trofe tjetër.

Vashat e Prishtinës e fituan Superkupën në konkurrencën e femrave me triumfin ndaj Bashkimit me rezultat të ngushtë, 71:68.

Image

Image