Kosova U16 pajiset me viza të Bosnje Hercegovinës, sonte niset për në Sarajevë

Sport August 10, 2018 - 20:54
Lajmet e fundit nga sporti

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) nëpërmjet kësaj komunikate njofton opinionin e gjerë se Përfaqësuesja U16 e Kosovës (Meshkujt) sonte në ora 20:15 është pajisur me viza të Bosnje e Hercegovinës dhe se në ora 23:00 do të udhëtoj për në Sarajevë, atje ku edhe mbahet FIBA U16 Kampionati Evropian, Divizioni B.

Pas katër ditë pritje para Ambasadës së Bosnje e Hercegovinës dhe pas trysnisë së madhe nga FIBA, KON, FBK, KOK-u dhe së fundi edhe me angazhimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë, Ministria e Punëve të Jashtme e ka dhënë lejen për pajisje me viza për Kosovën U16.

Përfaqësuesja jonë është dashur të jetë qysh të mërkurën në Sarajevë për ta zhvilluar stërvitjen e parë dhe më pas të enjten ta zhvilloj ndeshjen e parë kundër pikërisht Bosnje e Hercegovinës, por nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë për shkak se Ministria e Punëve të Jashtme prej të martës ka refuzuar të pajisë me viza Kosovën U16.

Kosova është pjesë e Grupit D së bashku me Republikën Çeke, Ukrainën, Bjellorusinë, Zvicrën dhe Bosnje e Hercegovinën.

Për programin e ndeshjeve të Përfaqësueses U16, FBK do ta njoftoj opinionin më vonë.