Bosnja ia lë fajin Kosovës për viza!

Bosnja ia lë fajin Kosovës për viza!

Sport gusht 10, 2018 - 11:46
Ndodh edhe kjo!

Bosnjë e Hercegovina ia ka hedhur fajin Kosovës për mospjesëmarrjen eventuale të Përfaqësueses U-16 të Kosovës në Kampionatin Evropian U-16, Divizioni B, i cili do të mbahet nga 9 deri më 18 gusht në Sarajevë, shkruan sot gazeta Zëri.

Derisa Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) të mërkurën u ankua në shtetin boshnjak për mosdhënien e vizave për kontingjentin kosovar, boshnjakët të enjten kanë dalë me një version tjetër.

Sipas tyre, pala kosovare e ka bërë shumë vonë kërkesën për t’u pajisur me viza dhe për këtë, për shkak të procedurave, është thuajse e pamundur që basketbollistët e rinj të futen në territorin boshnjak.

FIBA e ka kërcënuar Bosnjë e Hercegovinën në rast se nuk e lë Kosovën të marrë pjesë në këtë kompeticion, por boshnjakët arsyetohen se faji është te pala kosovare.

“Kërkesa e kosovarëve ka arritur vetëm dje (të mërkurën). Është shumë vonë kur kihet parasysh se Evropiani nis nesër (të premten). Mbi të gjitha, nuk është e vërtetë se vizat janë refuzuar. Këto kërkesa janë ende në ‘lojë’. Sipas rregullave tona, koha e nevojshme për t’iu përgjigjur kërkesave për viza është tri ditë”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjës, Igor Crnadak.

“Sot në mëngjes ia kemi dërguar një letër Federatës së Basketbollit të Bosnjë e Hercegovinës dhe presim këshilla në mënyrë që delegacioni i Kosovës ta marrë një përgjigje dhe ne konfirmojmë se jemi krejt prapa këtij kompeticioni dhe organizimit të tij. Për ne është e rëndësishme ta kemi një certifikatë të vlefshme, sepse njërin nga pjesëmarrësit e Evropianit, Kosovën, nuk e ka pranuar Bosnjë e Hercegovina si shtet. Për këtë deri sot vonë nuk do të ketë përgjigje. Dhe, kur të arrijë ajo, do ta kemi një përgjigje finale”, përfundoi ai.

Pra, të gjitha mundësitë janë që skuadra e Kosovës të mos marrë pjesë me kohë, së paku për ndeshjen e parë.

Bosnja nuk ka ambasadë në Kosovë dhe FBK-ja e bëri kërkesën në Shkup.

Por, duket se kadetët e Kosovës do ta shikojnë Evropianin vetëm përmes televizorit.

Evropiani fillon të premten dhe Kosova do të duhej të luante me ekipin mikpritës, duke filluar nga ora 18:45.

Shtëpia e basketbollit kosovar e ka njoftuar FIBA-n për këtë rast, duke konsideruar se kërkesat ligjore për lëshimin e vizave janë përmbushur nga Kosova dhe se vendimi është puro politik.

FBK-ja është e indinjuar, e dëshpëruar dhe e vlerëson vendimin të papranueshëm, duke shtuar se kjo nuk ka të bëjë asgjë me sport, por që e gjitha është politikë

Kjo nuk është hera e parë që sportistët kosovarë hasin në probleme për t’u pajisur me viza, mbi të gjitha nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

E kur kjo u ndodh sportistëve të rinj, të cilët kanë nevojë për sa më shumë ndeshje ndërkombëtare për ta fituar përvojën e duhur, ky fakt është për t’u shqetësuar. /Zëri/