Salzburg - Shkëndija, mbyllet kështu ndeshja e Championsit

Salzburg - Shkëndija, mbyllet kështu ndeshja e Championsit

Sport gusht 08, 2018 - 20:59
LAJMI I FUNDIT

Red Bull Salzburgu e ka ndalur hovin e Shkëndijës në Ligën e Kampionëve.

Skuadra austriake ia ka shkaktuar ekipit Kuqezi humbjen e parë në garat evropiane për këtë edicion.

Salzburgu ka fituar me rezultat të pastër, 3:0, në ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues të Championsit.

Vendësit e kanë dominuar lojën dhe kanë krijuar edhe raste shënimi, krahas golave, por edhe ekipi tetovar i pati rastet e tij, sidomos me Besart Ibraimin në pjesën e parë.

Image

Austriakët kanë shënuar dy herë në pjesën e parë përmes Munas Dabbur. Fillimisht, ai shënoi nga penalltia në minutën e 16-të, kurse të dytin e realizoi në minutat shtesë nga gjuajtja e lirë.

Austriakët kanë shënuar përsëri nga 11 metërshi në minutën e 80-të me Diadie Samassekou, kurse Zlatko Junuzovic i la mikpritësit me një lojtar më pak në minutën e 83-të pasi e mori kartonin e dytë të verdhë.

Duhet cekur se ndeshjen e sontme në stadiumin “Red Bull Arena” e përcollën bashkërisht pronari i Shkëndijës, Lazim Destani dhe miku i tij i mirë, presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi.

Shkëndijës i mbetet që në ndeshjen e kthimit ta kërkojë mrekullinë, duke u munduar ta përmbysë rezultatin edhe pse ky do të jetë një mision mjaft i vështirë për t’u arritur.

Kjo është hera e dytë në histori që Shkëndija po merr pjesë në Ligën e Kampionëve.

Kuqezinjtë i patën disa eksperienca të shkëlqyeshme në Europa League viteve të fundit, ndërsa titulli i kampionit në Maqedoni, po ashtu i dyti në histori, i dërgoi ata në Champions, ku po ashtu deri tash e bënë historinë.

Image

Fillimisht, në rrethin e parë kualifikues e eliminuan pa problem ekipin uellsian, The New Saints, ndërsa në rrethin e dytë e eliminoi ekipin e njohur moldav, Sheriff.

Në rast se eliminohet nga Championsi, megjithatë për Shkëndijën nuk do të marrë fund eksperienca evropiane për këtë edicion pasi do t’i vazhdojë garat në fazën e “Play-Offit” të Europa Leagues, për herë të parë për këtë klub, i cili më pas do të synonte fazën e grupeve, të cilën deri tash e ka shijuar vetëm një klub shqiptar – Skënderbeu. /Zëri/