Kampioni nga sokaku

Sport May 17, 2018 - 10:23

Kosova tashmë është anëtare e UEFA-s, e cila natyrisht që pret ta mësojë emrin e kampionit të ri edhe të vendit tonë. Mirëpo ky emër do të dalë nga një stadium i cili tash për tash vetëm emrin e ka stadium, pasi është në gjendje të mjerueshme. Fjala është për stadiumin e Pejës, i cili aktualisht i ka vetëm dy tribuna, pa ulëse. Përfund njërës tribunë, ku zakonisht vendosen tifozë të organizuar mysafirë, janë zhveshtoret. Kjo paraqet rrezik serioz për futbollistë, trajnerë dhe për persona të tjerë zyrtarë. Ndërsa pjesa prapa dy bankinave të ekipeve zakonisht ka qenë jashtë kontrollit, pasi vetëm disa tela e ndajnë nga sokaku. Nga ajo anë shpeshherë hyjnë në stadium njerëz të ndryshëm pa bileta, pa u penguar dhe pa u kontrolluar

Saktësisht dy vjet më parë Prishtina dhe Drita i kanë tubuar mbi 10 mijë shikues në finalen e tyre për Kupën e Kosovës, të cilën e kishin fituar prishtinasit me rezultat 2:1.

Ai takim u pat zhvilluar në stadiumin e Prishtinës dhe kishte rrjedhë spektakolare pa ndonjë të keqe të madhe. Mirëpo ky stadium do t’i mungojë përballjes së ardhshme të këtyre dy skuadrave të mëdha, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Prishtina dhe Drita të dielën do të përballen në një ndeshje shumë të madhe, e cila po konsiderohet si më e madhja në futbollin kosovar në periudhën e pasluftës. Kjo pasi takimi ndërmjet tyre përveçqë do ta përcaktojë kampionin e ti të Kosovës, njëkohësisht do t’ua ndajë rrugët evropiane këtyre dy ekipeve në mes të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.

Dhe emri i kampionit të ri të Kosovës do të dalë prej një stadiumi i cili tash për tash është në gjendje të mjerueshme. Fjala është për “Shahin Haxhiislamin” e Pejës, ku FC Prishtina ke vendosur ta presë Dritën, pasi në këtë stadium ka luajtur si vendase gjatë gjithë pranverës, ndërsa kërkesa e saj për ta luajtur këtë ndeshje të madhe në stadiumin e kryeqytetit iu refuzua nga institucionet relevante.

Por, për çfarë stadiumi po bëhet fjalë?! Fjala është për një stadium që të dielën do ta prodhojë një kampion të Kosovës, i cili do të marrë rrugë drejt Ligës së Kampionëve. Gjendja e këtij stadiumi aktualisht është e mjerueshme. Në pyetje është një stadium që aktualisht i ka vetëm dy tribuna, natyrisht pa ulëse, shkruan "Zëri".

Përfund njërës tribunë, ku zakonisht vendosen tifozë të organizuar mysafirë, gjenden zhveshtoret. Kjo paraqet rrezik serioz për futbollistë, trajnerë dhe për persona të tjerë zyrtarë.

Ndërsa pjesa prapa dy bankinave të ekipeve zakonisht ka qenë jashtë kontrollit, pasi vetëm disa tela e ndajnë nga rruga ku qarkullojnë këmbësorët dhe veturat. Nga ajo anë shpeshherë hyjnë në stadium njerëz të ndryshëm edhe atë pa bileta, pa u penguar dhe pa u kontrolluar, raporton "Zëri". Kjo situatë përsëritet çdoherë në Pejë prejse nga aty është rrënuar një tribunë për t’u ndërtuar një tjetër e re, e cila akoma nuk është bërë, përpos që e ka bashkuar stadiumin me sokakun.

FC Prishtina e di mirë gjendjen e këtij stadiumi. Thotë se nuk i plotëson as kushtet minimale për një lojë si kjo me Dritën. Andaj thotë se insistonte që të luajë në stadiumin e Prishtinës. Por meqenëse kërkesa i është refuzuar ka vendosur që edhe ndeshjen e fundit ta zhvillojë në Pejë, aty ku luajti si vendase gjatë gjithë stinorit pranveror.

“Ky stadium nuk i plotëson kushtet për një ndeshje si kjo me Dritën, sepse i mungojnë rrethojat dhe kujt t’i teket mund të hyjë dhe mund të bëjë çka të dojë. Shqetësimet tona për stadiumin e Pejës ua kemi përcjellë me kohë institucioneve të tjera, prej të cilave kërkonim të luanim në Prishtinë. Por hasëm në veshë të shurdhër dhe detyrimisht ne duhet të luajmë në Pejë, aty ku kemi luajtur gjatë gjithë sezonit pranveror”, ka thënë për “Zërin” nënkryetari i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi.

Stadium që s’i dihet as kapaciteti

Afrim Muçiqi thotë se stadiumi “Shahin Haxhiislami” me ato dy tribuna nuk mund t’i pranojë më shumë sesa 1500 shikues në ndeshjen e madhe ndërmjet Prishtinës dhe Dritës.

Në fakt, kapacitetin e këtij stadiumi tash për tash nuk e di as vetë Federata e Futbollit e Kosovës (FFK). “Saktësisht ne mund të flasim vetëm për kapacitetin e stadiumit ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, stadiumit të Prishtinës apo stadiumeve të tjera ku ka ulëse. Në bazë të ulëseve dihet edhe numri i shikuesve. Në stadiumin e Pejës nuk ka ulëse dhe nuk mund ta dimë kapacitetin e saktë”, tha për “Zërin” Adem Çollakaj, zyrtari i lartë dhe i njohur administrativ në FFK.

Por Bakir Burri, i cili shumë vite i ka kaluar në atë stadium si prijës i Besës, në një bisedë me “Zërin” tha se stadiumi “Shahin Haxhiislami” tash për tash nuk mund t’i zërë më shumë sesa 2 mijë shikues. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së tha se më moti ky stadium i ka zënë deri në 5 mijë shikues, por tani gjendja e tij është krejt tjetër.

Veç 100 bileta u takojnë “Intelektualëve”

Në finalen e Kupës së Kosovës në vitin 2016 ndërmjet Prishtinës dhe Dritës (2:1) në stadiumin e Prishtinës prezentë ishin mbi 10 mijë shikues. Natyrisht dominonin “Plisat” e kryeqytetit e që ishin vendas, por nga Gjilani drejt Prishtinës kishin udhëtuar mbi 3 mijë “Intelektualë” të Dritës.

Mirëpo të dielën në Pejë do të jetë ndryshe. Nëse stadiumi “Shahin Haxhiislami” ka kapacitet për 2 mijë shikues, atëherë vetëm 100 vende do t’u takojnë tifozëve mysafirë nga Gjilani.

Kështu thotë Adem Çollakaj, zyrtari i lartë dhe i njohur administrativ në FFK, pasi aktet normative të federatës nuk e specifikojnë këtë. “Çështja rreth asaj se sa bileta u takojnë mysafirëve nuk është në rregullore, por është në udhëzim. Sipas një udhëzimi të delegatit të ndeshjes që e gjeta këtu (në FFK) del se nikoqiri i ndeshjes duhet t’i ndajë 5 për qind të biletave për klubin mysafir. Në këtë udhëzim thuhet se klubi mysafir obligohet t’i bëjë kërkesë klubit nikoqir pesë ditë para ndeshjes që t’ia ndajë biletat”, ka theksuar Çollakaj.

Në anën tjetër, Afrim Muçiqi i FC Prishtinës thotë se klubi bardhekaltër si vendas është i gatshëm t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Dritës për t’ia ndarë biletat që i takojnë.

Kurse drejtori i Dritës, Fisnik Kërçeli, thotë se stadiumi i Pejës nuk i plotëson kushtet për këtë superderbi. “Ne kemi qenë të gatshëm për stadiumin e Prishtinës, pastaj shpresuam në ‘Adem Jashari’ të Mitrovicës. Por, Prishtina e shfrytëzoi të drejtën e saj për ta zgjedhur stadiumin e Pejës, i cili në fakt nuk i plotëson as kushtet minimale për këtë lojë, që e vendos titullin”, tha Kërçeli.

“Përballja Prishtina – Drita i vë përballë dy tifozeri shumë të mëdha dhe stadiumi i Pejës ishte i vogël për to e po ashtu nuk ofron aspak siguri kur dihet interesimi dhe rivaliteti tradicional i këtyre dy grupeve të tifozëve. Sidoqoftë, besojmë që ajo tribuna e vogël te zhveshtoret do t’u takojë tifozëve tanë, kurse ata që mbesin pa hyrë do të mbesin në qytet, sepse interesimi për udhëtim nga Gjilani është i jashtëzakonshëm”, përfundoi ai./Zëri/