Prezantohet Mancini: Do ta çoj Italinë sërish në majë

Sport May 15, 2018 - 15:59
Detajet

Pas muajsh të tërë pritjeje, Kombëtarja Italiane ka trajnerin e saj të ri me Roberto Mancinin që nisi zyrtarisht aventurën e re në stolin e të kaltërve.

Kontrata  e firmosur ditën e hënë parashikon angazhimin e tij deri në vitin 2020 me një pagë prej 2 milionë eurosh neto në sezon plus bonusin prej 1 milionë eurosh në rast të arritjes së objektivave.

Në pritje të debutimit në datë 28 Maj  në miqësoren përballë  Arabisë Saudite, 53- vjeçari bëri daljen e tij të parë publike si trajner i përfaqësuese italiane.

“Jam i emocionuar për këtë detyrë të re, të jesh trajner i Kombëtares nuk është diçka që ndodh shpesh. E pata shumë të lehtë të zgjidhja. Falënderoj të gjithë trajnerët që kanë punuar me mua duke kontribuar në rritjen time profesionale. Jam në rolin e trajnerit prej shumë vitesh dhe mendoj se ky ishte çasti i duhur për të marrë një përgjegjësi të madhe si kjo. Italia jashtë Botërorit ishte diçka shumë e hidhur për të gjithë ndaj dëshiroj të jap kontributin tim për këtë përfaqësuese".

I pyetur për afrimet që ka ndërmend të bëjë, konkretisht rreth emrave që janë lakuar si Balotelli dhe Pirlon si pjesë të stafit, Mancini u shpreh se do të dëshironte shumë ta rishihte Mario Balotelin edhe njëherë në formën e tij më të mirë më fanellën e përfaqësueses. Sikundër pritet edhe afrimi i Pirlos si pjesë e stafit.

“Qëllimi im është një dhe i vetëm, të ringris këtë Kombëtare në majën e futbollit evropian. Dua që të jem pikërisht njeriu që e rindërtoi dhe e solli sërish këtë skuadër me histori në nivelet më të larta të futbollit botëror. Italia e ka fituar katër herë Kupën e Botës dhe sot ky ekip ka në strukturë lojtarë me peshë dhe bashkë mund t’ia dalim të ringihemi aty ku meritojë”.

Në rast se Mancini do të arrijë kualifikimin në Euro 2020 me këtë përfaqësuese automatikisht kontrata e tij do të rinovohet edhe me dy vite tjerë.