Sporti ia kalon politikës
Foto: Driton Bublaku

Sporti ia kalon politikës

Sport shkurt 22, 2018 - 12:46

Kosova kishte më shumë fat në sport sesa në politikë, shkruan sot gazeta Zëri.

Futbolli kosovar u pranua në UEFA e në FIFA në vitin 2016 për ta kompletuar pranimin ndërkombëtar të sportit kosovar.

Pa dyshim sportistët po e shijojnë daljen në Evropë me pjesëmarrjen e tyre në kompeticionet ndërkombëtare, ku po i matin forcat me ekipet apo me garuesit e tjerë.

Gjiganti mediatik britanik BBC ia ka kushtuar një shkrim të veçantë sportit kosovar, për të cilin thotë se po e merr përpjetëzen çdo ditë e më shumë.

Pjesëmarrja e Kosovës në kualifikimet e Botërorit 2018 ishte pa dyshim një sukses, edhe pse sukseset realisht në fushën e blertë munguan.

Shumë futbollistë që u lindën dhe u rritën jashtë vendit iu bashkuan pa hezituar Përfaqësueses së Kosovës dhe e dhanë kontributin e tyre në kampanjën e parë eliminatore.

Njëri prej tyre ishte edhe Hekuran Kryeziu, i cili kishte luajtur me ekipet e të rinjve të Zvicrës.

“Unë e kisha një periudhë të mirë në ekipin kombëtar zviceran deri në ekipin U-21, ishte një periudhë e paharrueshme. Por, më pas më telefonoi disa herë trajneri i Kosovës dhe doja ta provoja këtë pasi prindërit e mi janë prej këtu dhe jam krenar që luaj për këtë ekip kombëtar”, deklaroi futbollisti i Luzernit.

Majlinda: Sporti, ambasadori më i mirë i Kosovës

Suksesin kryesor në sportin e pasluftës Kosova e kishte në xhudo.

Majlinda Kelmendi ia zbardhi fytyrën vendit të saj me titullin e kampiones evropiane, botërore e kulmi ishte kur në vitin 2016 e fitoi medaljen e artë në Olimpiadën e Rios, katër vjet pasi e kishte përfaqësuar Shqipërinë në Olimpiadën e Londrës 2012.

“Kosova është një vend i vogël dhe i varfër. Ka nevojë të promovohet në botë dhe mendoj se për momentin sporti është ambasadori më i mirë për Kosovën. Me këtë rast i kemi treguar gjeneratës së re të Kosovës që mund të bëjnë gjëra të mëdha dhe të arrijnë shumë”, theksoi xhudistja pejane.

Për dallim nga sporti, politika kosovare ka ngecur paksa, vazhdon shkrimi i BBC-së.

10 vjet pas deklarimit të Pavarësisë së Kosovës vendi ballkanik nuk është njohur nga më shumë se 80 shtete të botës.

Por, a mund ta ndihmojë sporti njohjen e këtij vendi?

Sidoqoftë, sporti ka nisur të zhvillohet. Momentalisht Kosova po merr pjesë në Olimpiadën Dimërore, të parën ndonjëherë me garuesin Albin Tahiri, që po e sprovon veten në skitari.

Ndërkohë, në kryeqytetin kosovar po mbahet festivali olimpik “PyeongChang 2018”, i cili ka hyrë në ditën e 12-të.

Qytetarët, posaçërisht fëmijët, po i provojnë shkathtësitë e tyre në sportet dimërore, sidomos në carling dhe në patinazh. /Zëri/