Shqipëria për 'Euro 2020'

Sport November 15, 2017 - 11:50

Kombëtarja e Shqipërisë nuk arriti të kualifikohet në botërorin “Rusia 2018”, mirëpo qysh tani po e shfaq kandidaturën e saj serioze për të shkuar për herë të dytë rresht në Kampionat Evropian.

Skuadra kuqezi në vazhdimësi po tregon stabilitet dhe forcë, të cilat e bëjnë një kandidate të natyrshme për ta kërkuar kualifikimin në “Euro 2020”.

Kjo do të ishte hera e dytë në historinë e Shqipërisë që merr pjesë në Evropian pas pjesëmarrjes në Evropianin e fundit “Franca 2016”.

Shenjat erdhën edhe nga Antalia, ku kuqezinjtë arritën ta mposhtin si mysafirë Turqinë në miqësoren e fituar me rezultat 2:3.

“Nuk na ka kënaqur vetëm fitorja në një ndeshje lojë që u zhvillua më e madhe sesa një miqësore që ishte faktikisht. Për ne akoma më shumë vlen mënyra se si luajtëm dhe futbolli fantastik që shfaqëm. Gjithsesi, kemi akoma edhe shumë punë për të bërë, por jam i kënaqur që skuadra po i përqafon mirë idetë e mia”, ka thënë përzgjedhësi i Shqipërisë Christian Panucci, i cili dita-ditës po e arsyeton besimin që ka marrë nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Panucci tashmë ka sjellë në skuadrën shqiptare edhe emra të rinj, të cilët janë pjesë e projektit “Euro 2020”.

“Jam i kënaqur me prurjet e reja sepse janë thirrur për herë të parë, por që do të vijojnë të jenë pjesë e Kombëtares edhe në takimet e ardhshme. Paraqitja e tyre, jo vetëm në Turqi, por edhe në grumbullim, ka qenë shumë profesionale”, ka theksuar Panucci.

Grezda, ylli i ri kosovar i Shqipërisë

Armando Sadiku ishte realizuesi i dy golave të Shqipërisë në Turqi, kurse një gol tjetër e ka shënuar Eros Grezda, i cili po bëhet një lojtar shumë i rëndësishëm i Shqipërisë.

Futbollisti kosovar është i lumtur për golin e parë të shënuar me fanellën kuqezi, të cilën deri më tani e ka veshur pesë herë.

“U gëzova shumë për golin e parë me fanellën e Kombëtares, pavarësisht se ishte një ndeshje miqësore. Ishte ndeshja ime e pestë dhe ende nuk i njohim mirë lëvizjet e njëri-tjetrit. Me kalimin e kohës po harmonizohemi edhe më mirë dhe besoj se do të kem mundësi të jap më të mirën time”, ka thënë Grezda, i cili luan në kampionatin kroat, ndërsa shumë shpejt e ka fituar besimin e Panuccit.

Tronditen turqit

Pasi dështoi të kualifikohet në botërorin “Rusia 2018”, i madh e i vogël në Turqi janë tronditur nga kombëtarja e tyre, e cila humbi edhe në miqësoren e zhvilluar në shtëpi nga Turqia.

Mediet dhe analistët nuk kanë kursyer kritika, derisa kanë dhënë edhe alarme shqetësuese rreth së ardhmes së ekipit të tyre përfaqësues. /Zëri/