Munishi sqaron pse u kthye te Vëllaznimi një ditë pasi dha dorëheqje

Sport November 11, 2017 - 19:14

Dje, trajneri i klubit të futbollit Vëllaznimi, Ismet Munishi, zgjodhi rrjetin social Facebook për të njoftuar, për habinë e shumë njerëzve, se kishte vendosur ta linte klubin duke u thirrur në arsyeje si lodhja dhe nevoja për pushim. Megjithatë, hiç më larg se të nesërmen në mëngjes, pra sot, ai njoftoi se është kthyer në klub për ta vazhduar punën.

Sot, në një intervistë për Gazetën Express, Munishi ka zbuluar se çka e çoi të merrte vendimin për t’u larguar dhe çka për t’u kthyer menjëherë.

Rebelimi i disa lojtarëve në dy ditët e fundit kanë bërë që atij t’i mbetet hatri dhe të larohet përkohësisht, ka thënë Munishi për Express, duke shtuar se lodhja dhe nevoja për pushim kanë ardhur si shkak i problemeve financiare në klubin gjakovar. Rebelimi duket se ka ardhur për shkak të vonesave të pagave.

“Lodhjen e kanë bërë pasojat e krizës financiare. Ka pasur disa rebelime jo shumë të mëdha, por që nuk kemi mundur t’i duronim sepse ne jemi marrë vesh me futbollistët se pavarësisht gjendjes financiare; pavarësisht gjithë situatës, ata duhet të dëgjojnë deri në fund dhe unë iu tregoj si e tek dhe se ata nuk mund të vendosin vetë. Dje dhe pardje e kanë pasur nga një rebelim të vogël dhe mua me ka mbetur hatri tek futbollistët. Kemi pas vonesa në paga dmth, klubi ka probleme financiare. Ky ka qenë realiteti”, Munishi ka zbuluar për Express.

Por, çfarë e shtyu trajnerin e mirënjohur kosovar të kthehet në klub? Ai thotë se duke nisur nga futbollistët, drejtuesit e klubit e deri te tifozët, mesazhet për kthimin e tij në skuadër kanë qenë të pandalshme.

“Kanë qenë pikërisht futbollistët që më kanë marrë me rend në telefonin, ka qenë kapiteni, futbollistët më të vjetër, kryesia e klubit dhe tifozët nga të cilët kam marrë mesazhe të shumtë dhe këta kanë qenë pikërisht [arsyeja] pse kam vendos të kthehem”, ka theksuar ai.

Megjithatë, e ardhmja e Munishit te Vëllaznimi nuk është krejtësisht e sigurt, sepse ai thotë se është kthyer për ta çuar stinorin vjeshtor deri në fund e pastaj do të vendosë rreth të ardhmes.

“Për hatër të futbollistëve, klubit dhe tifozëve kam vendos të kthehem edhe këto lojë e mandej kur të kryhet gjysmë stinori do të ulemi dhe ta shohim ku jemi”, ka shtuar ai.

Ai tregon se shumë shpejt do të dihet ecuria financiare e klubit gjersa shpreson se ka shpresa pas premtimeve të marra.

“Kemi shpresa dhe premtime që kemi me dalë nga kjo gjendje shumë shpejt do të dihet për ecurinë financiare të klubit”, ka treguar ai.

Munishi ka pohuar se një klub, siç e quan ai, mjaft serioz, i ka bërë atij ofertë sot. Ai nuk ka dashur ta zbulojë emrin e klubit. Por, ka theksuar se ofertën nuk e ka pranuar sepse dëshiron ta çojë Vëllaznimin përpara.  

“Sot e kam pasur një ofertë nga një klub jashtë zakonisht serioz emrin e të cilit nuk mund ta ceki për shkak të korrektësisë. Të gjithë jemi duke sakrifikuar për ta çuar Vëllaznimin përpara”.

Ai u ka bërë thirrje të gjithëve në Gjakovë ta ndihmojnë klubin dhe futbollistët e tij.