Milionerët e Kosovës

Sport November 09, 2017 - 14:13

Futbollistëve kosovarë po u ngrihet vlera ditë për ditë. Madje disa prej tyre në tregun e sotëm vlerësohen me miliona euro, shkruan sot gazeta Zëri.

Kështu të paktën vlerëson “Transfermarkt”, uebsajti i specializuar për “peshën” e futbollistëve derisa “Zëri” ua sjell renditjen e futbollistëve më të shtrenjtë kosovarë, të cilët po luajnë me sukses në klubet e ndryshme evropiane.

Granit Xhaka, më i shtrenjti

Granit Xhaka është futbollisti më i shtrenjtë kosovar momentalisht. Vlera e mesfushorit të Arsenalit në tregun ndërkombëtar është 35 milionë euro.

Para shtatë vjetësh kartoni i përfaqësuesit zviceran kishte vlerë prej vetëm 400 mijë eurosh.

Nëse e bëjmë një krahasim, vlera e Granitit është gati dymbëdhjetëfish më e madhe sesa e vëllait të tij Taulant Xhakës, i cili sot vlen 3 milionë euro.

Ndërkohë, Xherdan Shaqiri është futbollisti i dytë më i shtrenjtë nga Kosova. Vlera aktuale e mesfushorit të Stoke Cityt është 15 milionë euro.

Para tre vjetësh Shaqiri ishte edhe më i shtrenjtë – kushtonte 20 milionë.

Nuk përfundon me kaq. Adnan Januzaj mbetet njëri prej futbollistëve më të shtrenjtë të atyre që kanë prejardhje nga Kosova.

Vlera e kartonit të futbollistit të Real Sociedadit është 8.5 milionë euro. Para tre vjetësh ish-lojtari i Manchester Unitedit kushtonte 10 milionë euro.

Vend në këtë listë zë edhe Etrit Berisha, i cili e ka arritur çmimin më të lartë në karrierë.

Portieri kosovar i Shqipërisë dhe i Atalantës sot kushton 5.5 milionë euro, derisa para katër vjetësh ish-portieri i 2 Korrikut vlente 1 milion euro sa ishte lojtar i Kalmarit.

Edhe Milot Rashicës po i rritet vlera çdo ditë.  Para pak vitesh ai luante për Vushtrrinë në Kosovë, kurse tani në Holandë për Vitessen.

Tani vlera e reprezentuesit të Kosovës është 5 milionë euro. Para dy vjetësh kartoni i Rashicës kushtonte vetëm 50 mijë euro, kurse tani po kërkohet nga gjigantë evropianë, sidomos në Itali.

Reprezentuesi i Kosovës Valon Berisha sot kushton 4 milionë euro.

Para një viti lojtari i RD Salzburgut kushtonte 3 milionë euro. Bersant Celina është njëri prej futbollistëve më të njohur të Kosovës.

Kartoni i yllit të ri kosovar është 2.5 milionë euro. 2.5 milionë euro është edhe vlera aktuale e Valon Behramit.

Veterani i mesfushës sot është 32-vjeçar, por para tre vjetësh kushtonte 16 milionë euro.

50-milionëshi Avdijaj

Donis Avdijaj është futbollisti me klauzolën më të shtrenjtë të shkëputjes së kontratës.

Në fakt, Schalke vite më parë e kishte vlerësuar klauzolën e përfaqësuesit kosovar plot 50 milionë euro për klubet e interesuara për ta blerë atë.

Vlera e mesfushorit ofanziv në tregun e futbollistëve sot është 2 milionë euro. /Zëri/