Krizë e madhe, Federata në hall me klubet

Sport September 24, 2017 - 15:50

Federata e Basketbollit është e shqetësuar me gjendjen e rënduar financiare të klubeve. Si pasojë e saj kryetari Erolld Belegu e pranon se sivjet mund të jetë dukshëm më e dobët Superliga, saqë gara e pjesës së poshtme të tabelës mund të jetë më interesante sesa ajo e pjesës së epërme. Ai thotë se Federata nuk ka mundësi t’i nxjerrë klubet nga kriza financiare. Për këtë gjendje të rënduar Belegu shfajëson FBK-në, ndërsa gishtin e fajit e vë kah mosfunksionimi i ligjeve dhe kah kryesitë e klubeve, për të cilat thotë se kanë fjetur gjatë gjithë verës

Zyrtari i lartë i FIBA-s, Lubomir Kotleba, gjatë vizitës në vendin tonë theksoi se niveli i basketbollit në Kosovë është nën nivelin e duhur.

Kësaj deklarate të tij i jep vulë situata e rënduar financiare e klubeve kosovare, të cilat mezi po ekzistojnëm, shkruan sot gazeta Zëri.

Përpos Sigal Prishtinës, që është gjithnjë stabile, dhe Bashkimit i cili gjendet mirë momentalisht, Peja dhe Trepça po i kalojnë momentet më të vështira të historisë.

E kur dy gjigantë të basketbollit kosovar e shohin veten në “fund të pusit” çfarë mund të presësh nga klubet tjera më të “vogla”?!

Kjo situatë i ka shqetësuar edhe krerët e basketbollit kosovar. Ata janë të vetëdijshëm se sivjet Kampionati i Kosovës pritet të jetë prej më të dobëtëve në basketbollin e pasluftës, por thonë se nuk mund të ndihmojnë në këtë aspekt.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës i ka përmendur disa nga faktorët që i kanë sjellë deri në këtë derexhe klubet e basketbollit.

“Problemi është shqetësues, klubet kanë probleme serioze financiare, të cilat janë edhe si rrjedhojë e situatës momentale në shtet. Po ashtu, kryesisht si rrjedhojë e mosimplementimit të Ligjit për Sport në vendin tonë, pasi kjo i ka larguar edhe më shumë sponsorët. Ka qenë një bazë e vullnetarizmit të tyre për 10-15 vjet, ndërsa tash nuk janë më të interesuar të shpenzojnë sepse e dinë që mund ta kenë një benefit, të cilin ne jo me faj tonin nuk po mund t’ua ofrojmë”, thotë fillimisht për “Zërin” kreu i FBK-së.

“Në anën tjetër, kryesitë e klubeve kanë fjetur me muaj të tërë, gjatë tërë verës kur ne ishim shumë aktivë dhe arritëm suksese me përfaqësueset. Vetëm kur ka ardhur 1 shtatori, data e kryerjes së obligimeve, atëherë kanë nisur të organizohen dhe kanë thënë se nuk kemi para. Normal që nuk kanë pasi ato nuk mund të bëhen për një ditë”, vazhdoi Belegu.

Atë e shqetëson edhe fakti se, sipas tij, disa njerëz e kritikojnë FBK-në për situatën e klubeve. Ai shton se shtëpia e basketbollit kosovar është në shërbim të klubeve, por nuk mund t’i udhëheqë ato. FBK-ja, vijon ai, është këtu vetëm për t’i implementuar rregulloret, të cilat i ka aprovuar së basku me klubet. FBK-ja shumë shpejt do ta ketë edhe një takim të Bordit, ku do të diskutohet edhe për gjendjen e vështirë të klubeve.

Më interesante pjesa e poshtme e tabelës

Belegu ndër të tjera shpreson që të jetë një fillim i mbarë i Kampionatit, derisa tregon se pak a shumë shumica e klubeve i kanë kryer obligimet. Ai këtë sezon nuk pret që lufta për titull të jetë kryesorja dhe më interesantja.

“Unë besoj se konkurrenca më e madhe do të jetë për pjesën e poshtme të tabelës, pasi që Prishtina me përforcime është larg ekipeve tjera. Sigurisht që Bashkimi do të jetë pretenduesi kryesor me Prishtinën për titull. E ekipet tjera do të jenë të nivelit të njëjtë, por kjo nuk do të thotë se gjërat nuk mund të ndryshojnë. Aprovimi i Ligjit për Sponsorizim do t’ua hapte dyert sponsorëve. Afati kalimtar për të huaj është i hapur dhe teorikisht mund të kemi ndryshim drastik brenda muajit në Superligë”, nënvizoi Belegu, të cilin e shqetëson më së shumti situata e krijuar tek Peja dhe Trepça. Për klubet tjera mendon se pak a shumë janë në rregull.

Sa u përket Verdhezinjve, ai shprehet se ata e kanë zgjedhur rrugën e vazhdimit të garave përpara asaj të shuarjes, që rrjedhimisht lë të kuptohet se mendojnë ta paguajnë gjobën prej 120 mijë dollarësh të vënë nga FIBA. Ai paralajmëron se ndaj pejanëve mund të shqiptohen dënime të tjera nga shtëpia e basketbollit evropian. /Zëri/