Rusia ishte një nga burimet kryesore të rekrutimit të vajzave për rrjetin e Jeffrey Epsteinit
Rusia ishte një nga vendet kryesore nga ku Jeffrey Epstein rekrutonte gra dhe vajza të reja për rrjetin e tij të trafikimit seksual, ndërsa në vitet e fundit të jetës e shfrytëzoi vendin edhe në përpjekje për të rikthyer imazhin dhe ndikimin e tij në qarqet e elitës ndërkombëtare.
Kështu thuhet në një hulumtim të agjencisë së lajmeve Reuters, i cili ka shqyrtuar qindra faqe dokumentesh të Departamentit amerikan të Drejtësisë, regjistra fluturimesh, dosje gjyqësore dhe komunikime elektronike, si dhe ka intervistuar më shumë se 20 persona që kishin njohuri për lidhjet e Epsteinit me Rusinë.
Sipas Reuters, janë identifikuar të paktën 17 gra nga ish-Bashkimi Sovjetik që ishin përfshirë në rrjetin e trafikimit seksual të Epstein, duke përfshirë tri gra që kanë kërkuar drejtësi për abuzimin dhe shfrytëzimin e tyre.
Hulumtimi zbulon se fillimisht interesimi i Epsteinit për Rusinë ishte i lidhur kryesisht me rekrutimin e vajzave dhe grave të reja përmes agjencive të modelimit dhe premtimeve për mundësi në industrinë e modës.
Një rol të rëndësishëm në këtë rrjet kishte agjenti francez i modeleve, Jean-Luc Brunel, i cili rekrutonte vajza dhe gra në Evropën Lindore dhe ish-Bashkimin Sovjetik, për t'i dërguar në Paris, ku agjencitë amerikane përzgjidhnin modele për tregun e Amerikës së Veriut.
Reuters përmend edhe një festë të organizuar në Paris në shtator të vitit 1991, ku, sipas dëshmisë së ish-modeles Thysia Huisman, një vajzë ruse që dukej të ishte në fillim të adoleshencës kaloi pjesën më të madhe të mbrëmjes në prehrin e Epstein. Megjithatë, agjencia thekson se nuk ka arritur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur identitetin dhe moshën e vajzës apo vetë ngjarjen.
Në vitin 2003, Brunel hapi në Miami një agjenci modelimi, Karin Models of America, të cilën dy vjet më vonë e riemërtoi MC2 Models Management. Sipas dy personave me njohuri të drejtpërdrejta për aktivitetet e saj, agjencia rekrutonte shumë modele në Rusi dhe u siguronte dokumente për udhëtim në SHBA, ndërsa Epsteini u ofronte banesa.
Njëra prej grave të rekrutuara përmes kësaj agjencie ishte Svetlana Pozhidaeva, e cila tha për Reuters se e kishte takuar Epstein në Paris në vitin 2008, kur ishte rreth 23 vjeçe. Ajo u zhvendos në SHBA një vit më vonë, pasi Epstein i kishte premtuar se do ta ndihmonte të siguronte një kontratë modelimi me kompaninë Victoria's Secret.
Më vonë, ajo u bë një nga asistente personale të Epstein. Pozhidaeva ka deklaruar se ai e kishte shfrytëzuar seksualisht dhe se e kishte mbajtur në një gjendje varësie financiare, duke mbuluar shpenzimet e saj, por duke i regjistruar ato si borxhe.
Sipas saj, kishte frikë të largohej, pasi besonte se Epstein kishte lidhje politike në Rusi dhe mund t'i shkaktonte dëm asaj ose familjes së saj.
Përpjekjet për lidhje me elitën ruse
Pas dënimit të tij në Florida në vitin 2008 për vepra që lidhen me prostitucionin, përfshirë kërkimin e shërbimeve seksuale nga një e mitur, dhe kalimit të 13 muajve në burg, Epstein nisi ta shihte Rusinë edhe si mundësi për të rikthyer pozitën e tij në qarqet e elitës ndërkombëtare.
Sipas dokumenteve të Departamentit amerikan të Drejtësisë, ai kishte viza ruse për pjesën më të madhe të periudhës nga viti 2002 deri në arrestimin e tij në vitin 2019.
Epstein kishte vizituar Rusinë vetëm dy herë, sipas të dhënave të njohura. Udhëtimin e parë e kishte bërë në vitin 1998, në qytetin Sarov, i njohur si një qendër e mbyllur ku Bashkimi Sovjetik kishte zhvilluar një pjesë të programit të armëve bërthamore.
Vizita e dytë ishte në nëntor të vitit 2002, kur ai udhëtoi drejt Shën Petersburgut me avionin e tij privat, së bashku me Ghislaine Maxwell dhe Jean-Luc Brunel.
Gjatë një ndalese në Moskë, sipas dy personave të njohur me udhëtimin, ata kishin dalë me makina të blinduara dhe truproje të armatosura për të marrë pjesë në një darkë me biznesmenin çeçen Umar Dzhabrailov. Më pas, Epstein kishte kërkuar që shoferi ta voziste përgjatë rrugës Tverskaya për të parë prostitutat që qëndronin aty gjatë natës.
Në vitet pasuese, ai u përpoq të krijonte lidhje me biznesmenë dhe zyrtarë rusë. Ndër personat me të cilët komunikonte ishte miliarderi i pasurive të paluajtshme Vladislav Doronin, i cili në atë kohë ishte në lidhje me modelen Naomi Campbell.
Epstein kishte tentuar gjithashtu të afrohej me miliarderin e metaleve Oleg Deripaska, por Reuters nuk ka arritur të përcaktojë nëse të dy ishin takuar ndonjëherë.
Një nga përpjekjet më të rëndësishme ishte ajo për të siguruar një takim me presidentin rus, Vladimir Putin. Në vitin 2011, një udhëtim i planifikuar i Epstein në Rusi përfshinte, sipas një shkëmbimi emailesh, edhe një takim të mundshëm me Putinin. Megjithatë, udhëtimi u anulua dhe tri persona që e njihnin Epstein kanë thënë se nuk besonin se takimi me presidentin rus ishte planifikuar ndonjëherë.
Në vitin 2014, Epstein u takua në Paris me Sergey Belyakov, atëherë zëvendësministër rus i Ekonomisë, i cili më pas u bë kontakti i tij kryesor në qarqet zyrtare ruse.
Në prill të vitit 2015, Epstein e prezantoi Belyakovin me ish-kryeministrin izraelit Ehud Barak. Më vonë, ai i kërkoi Barakut që ta nxiste Belyakovin të ndërmjetësonte për një takim me udhëheqësit rusë.
Në një email, Epstein sugjeronte që Putini dhe këshilltarët e tij do të përfitonin nga një takim me të për të diskutuar tregjet, valutën dhe sistemin financiar. Sipas Reuters, Baraku nuk e përcolli këtë mesazh.
Reuters: Nuk ka prova për lidhje me inteligjencën ruse
Pavarësisht lidhjeve që Epstein kishte tentuar të ndërtonte me figura të fuqishme ruse, Reuters thekson se nuk ka gjetur prova se ai kishte punuar për inteligjencën ruse, se kishte vepruar në emër të qeverisë ruse apo se kishte arritur të takohej me Putinin.
Hulumtimi vë në pah se lidhjet e Epstein me Rusinë kanë nxitur spekulime dhe teori të ndryshme, përfshirë pretendime për lidhje me shërbimet sekrete sovjetike apo ruse përmes Robert Maxwellit, babait të Ghislaine Maxwellit, i cili ishte figurë e njohur në industrinë britanike të mediave dhe dyshohej për lidhje me shërbime të ndryshme të inteligjencës.
Megjithatë, sipas Reuters, këto pretendime nuk janë mbështetur me prova.
Epstein u arrestua në vitin 2019 nën dyshimet për trafikim seksual të të miturve dhe vdiq në një burg të Manhatanit në gusht të po atij viti. Vdekja e tij u cilësua si vetëvrasje.
Ndërkaq, Ghislaine Maxwell po vuan një dënim prej 20 vjetësh burgim për ndihmën që i kishte ofruar Epstein në abuzimin seksual të vajzave adoleshente. Brunel vdiq në një burg në Paris në vitin 2022, ndërsa biznesmeni Umar Dzhabrailov u gjet i vdekur në banesën e tij në Moskë në mars të këtij viti, me një plagë fatale nga arma e zjarrit. Autoritetet ruse e trajtuan rastin si vetëvrasje të dyshuar.
Reuters përfundon se përpjekjet e Epstein për të krijuar ndikim në Rusi nuk rezultuan me marrëveshje të mëdha biznesi apo ndikim të dëshmuar politik, por lanë pas një numër grash ruse që vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për abuzimin dhe shfrytëzimin e tyre.