Bebe Rexha mori nominimin e parë si artiste e pavarur në “MTV Video Music Awards”
Bebe Rexha ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e saj, duke marrë nominimin e parë në MTV Video Music Awards si artiste e pavarur.
Këngëtarja shqiptaro-amerikane është nominuar në kategorinë “Best Dance” për hitin e saj “New Religion”, në bashkëpunim me grupin britanik Faithless.
Lajmin për nominimin Rexha e ka pritur me shumë emocion dhe e ka ndarë menjëherë me fansat e saj në Instagram. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, këngëtarja shihet në studio, teksa një prej asistentëve të saj i tregon se ajo sapo ka marrë nominimin për çmimet prestigjioze MTV VMA. Reagimi i saj është i menjëhershëm, me Rexhën që e përjeton lajmin me shumë gëzim dhe emocion.
Për këngëtaren ky nominim ka një rëndësi të veçantë pasi është arritur në një periudhë kur ajo vepron si artiste e pavarur, pa mbështetjen e një kompanie të madhe diskografike pas saj.
“REXHARS!!! Më në fund jemi nominuar për këngën tonë dhe si ARTISTE E PAVARUR ë ‘NEW RELIGION’”, ka shkruar Rexha, duke iu drejtuar me këtë mesazh fansave të saj, të njohur si “Rexhars”.Bebe Rexha do të përballet me disa prej emrave më të njohur të muzikës botërore në kategorinë “Best Dance”.
Në garë për çmimin janë:
Harry Styles – “Aperture” – Columbia Records
Lady Gaga & Doechii – “RUNWAY” – Lil Monsters/Top Dawg Entertainment/Interscope Records/Capitol Records
Madonna – “Confessions II – The Film” – Warner Records
PinkPantheress + Zara Larsson – “Stateside” – Warner Records UK/Atlantic Records
Slayyyter – “DANCE…” – RECORDS/Columbia Records
Tate McRae – “Nobody’s Girl” – RCA Records
Bebe Rexha & Faithless – “New Religion”
Për Rexhën, nominimi vjen pas një periudhe të rëndësishme ndryshimesh në karrierën e saj.
Albumi i parë si artiste e pavarur
Këtë vit, Bebe Rexha publikoi albumin e saj të parë si artiste e pavarur, “Dirty Blonde”, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e saj muzikore.Një vit më parë, këngëtarja i dha fund bashkëpunimit me kompaninë diskografike Warner Records, me të cilën kishte punuar për rreth një dekadë.
Pikërisht për këtë arsye, nominimi i sivjetmë në MTV VMA ka një peshë të veçantë për të, pasi vjen në një periudhë kur Rexha po e ndërton karrierën e saj jashtë sistemit tradicional të një shtëpie të madhe diskografike.Ky nuk është nominimi i parë i Rexhës në MTV VMA. Ajo e ka fituar një herë këtë çmim, në vitin 2019, pikërisht në kategorinë “Best Dance”, për këngën “Call You Mine”, në bashkëpunim me The Chainsmokers.
Tani, gjashtë vjet më vonë, Rexha synon ta përsërisë suksesin, këtë herë me “New Religion” dhe si artiste e pavarur.
Për ta mbështetur Bebe Rexhën në garën për çmimin “Best Dance”, fansat e saj mund të votojnë përmes faqes zyrtare të MTV Video Music Awards. /Telegrafi