Yll Limani: Finalja e fazës së dytë të turneut në Prishtinë do të jetë me plot surpriza
Yll Limani ka zbuluar detaje rreth dy koncerteve që do të mbajë në Prishtinë më 24 dhe 25 korrik, duke i cilësuar ato si finalen e fazës së dytë të turneut të tij.
Në një konferencë për media, ai, së bashku me menaxherin Bonart Ajvazi dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, folën për përgatitjet e koncertit, surprizat që i presin fansat, si dhe për mundësinë e pjesëmarrjes së këngëtarit në Eurovision.
Menaxheri i këngëtarit, Bonart Ajvazi, njoftoi se ky koncert është i fundit në Ballkan, për këtë vit.
“Data të tjera në Ballkan nuk ka. Domethënë mbaron me sot e nesër në Prishtinë edhe përfundon faza dy. Tani ka me pasur data të tjera, koncerte të tjera në fazën tre. Po atë po ua lëmë surprizë, kur t’i vjen koha”, tha ai.
Ndërsa, këngëtari Yll Limani paralajmëroi supriza gjatë koncertit.
“Finalja e fazës së dytë të turit do të jetë tamam një finale fantastike, me plot surpriza”, tha ai.
I pyetur për pjesëmarrje në festivalin e këngës Eurovizion, Limani tha se për momentin nuk e ka atë synim.
“Nuk e di, edhe vitet e kaluara, edhe vjet edhe parvjet ftesën e kam pasur gjithmonë me qenë pjesë e festivalit të RTSH-së. Po me rritjen e punëve tona, të projekteve, albumeve, koncerteve, nuk është fare njëherë koncentrimi edhe synimi, qëllimi andej”, tha ai.
I pyetur nga kryetari, se cila do ishte kënga me të cilën do të përfaqësonte Kosovën në Eurovision, ai tha se është kënga “Ajr”dhe “Lshoja zanin”.
“E kam pasur gjithë kur e kam krijuar këngën 'Ajr' që është në albumin e fundit, e kam parë si për Eurovizion. Kur e kam kënduar, kur e kam krijuar “Lshoja zanin”, ka qenë e paraparë për skenën e Eurovizionit. Ka plot këngë pa fund që kur i kam menduar, i kam menduar për festivale, ose 'Kënga magjike', ose 'Top Fest' atëherë që ka qenë, ose Festivali i RTSH-së”, u shpreh ai.