Dështon seanca dëgjimore ndaj Gjestit, në rastin ku akuzohet për tri vepra penale
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca dëgjimore, në rastin ku këngëtari Besart Kelmendi, i njohur si “Gjesti”, akuzohet për tri vepra penale: “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”. Shkak u bë mungesa e të akuzuarit.
Mbrojtësi i Kelmendit, avokati Burim Azemi, tha se përmes mesazhit, këngëtari e ka njoftuar se nuk mund të jetë i pranishëm në seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Rrethanat a janë objektive apo subjektive nuk i di për momentin, mirëpo më ka tregu që e ka të pamundur me prezantu sot”, tha Azemi.
Ai shtoi se nuk ka pasur komunikim tjetër me të akuzuarin, duke theksuar se Gjesti ka qenë në Shqipëri për një koncert.
Prezent në seancë ishte edhe prokurori Malart Kuçi. Ndërkaq, përveç Kelmendit mungoi edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Erkand Shabani, avokati Besnik Berisha.
Gjykata konstatoi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës dëgjimore.
Gjykatësja Edita Canta bëri të ditur se në rast se i akuzuari nuk paraqitet në seancën e radhës, Gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 19 mars 2026 njoftoi se këngëtari Besart Kelmendi i njohur si Gjesti, ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë, andaj me kërkesë të prokurorit, atij iu ndërpre masa e paraburgimit.
“Ju njoftojmë se i pandehuri pasi që ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorin e Shtetit lidhur me veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Kanosja” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ndaj të njëjtit kanë pushuar arsyet ligjore për të cilën ka qenë nën masën e paraburgimit. Andaj, prokurori i shtetit pranë gjykatës kompetente ka bërë kërkesë për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj tij”, kishte konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 13 mars 2026 kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit nën dyshimin për tri vepra penale.
“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar më 13 mars 2026, se e gjithë ngjarja ka ndodhur pranë zyrave të studios ‘Onima’, e që shkak dyshohej të jetë mosmarrëveshja rreth një borxhi paraprak, ku këngëtari me armë në dorë ka shkuar në zyrat e studios dhe kërkoi të dëmtuarin E.Sh., duke iu drejtuar stafit me fjalët “ku o se kam me vra”.