Vali Corleone sërish para gjykatës, akuzohet për posedim dhe shpërndarje të kokainës

Vali Corleone sërish para gjykatës, akuzohet për posedim dhe shpërndarje të kokainës

Showbiz July 08, 2026 - 14:29

Princ Valentino Corleone është paraqitur në seancën e radhës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po përballet me akuzat për posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 qershor 2023, Corleone dyshohet se ka poseduar kokainë me qëllim të shitjes ose shpërndarjes, duke kryer veprën penale të paraparë në Nenin 267, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Në aktakuzë thuhet se ngjarja ka ndodhur më 17 mars 2023, rreth orës 20:30, në një motel në fshatin Çagllavicë.

Sipas Prokurorisë, derisa ndodhej në shoqërinë e dy vajzave, Corleone ka kontaktuar edhe një vajzë tjetër, të cilës i kishte thënë: “Hajde me e ngreh ndonjë vi kokë”.

Prokuroria pretendon se pasi ajo kishte mbërritur në motel, i pandehuri i kishte dhënë një sasi të substancës narkotike të dyshuar si kokainë për konsum.

Sipas aktakuzës, substancën e kishin konsumuar ajo dhe njëra nga dy vajzat që ndodheshin tashmë në vendngjarje.

Gjatë kontrollit policor, autoritetet thonë se te Corleone janë gjetur një dozë dhe një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme që specifikohet në aktakuzë.

Rasti është në proces gjyqësor dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar nga gjykata. /demos