Nga skenat botërore në Sunny Hill Festival – Katy Perry dhe hitet që e bënë yll global
Tashmë dihet se një nga yjet më të mëdha të muzikës pop në botë, Katy Perry, do të vijë në Kosovë më 31 korrik.
Artistja amerikane do të performojë në Sunny Hill Festival, festivalin më të madh muzikor në vend, ku është konfirmuar si emri kryesor i natës hapëse.
Njoftimi për ardhjen e saj u prit me entuziazëm të madh nga publiku, ndërsa fansat tashmë mezi presin ta shohin nga afër dhe të dëgjojnë hitet që e kanë bërë një nga artistet më të suksesshme të gjeneratës së saj.
Katy Perry ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme në industrinë e muzikës, ndërsa këngët e saj kanë grumbulluar miliarda shikime në YouTube dhe miliarda transmetime në platformat muzikore në mbarë botën.
Mes hiteve më të njohura të saj janë "Firework", "Roar", "Dark Horse", "California Gurls", "Teenage Dream", "I Kissed a Girl", "Hot N Cold", "Last Friday Night (T.G.I.F.)", "E.T." dhe "Part of Me".
Po ashtu, këngë si "Wide Awake", "The One That Got Away", "Unconditionally", "Chained to the Rhythm" dhe "Never Really Over" kanë qenë ndër projektet më të suksesshme të artistes, duke e konsoliduar statusin e saj si një nga këngëtaret më të rëndësishme të muzikës pop.
Me një katalog të pasur me hite globale dhe performanca që kanë mahnitur publikun në të gjithë botën, Katy Perry pritet të jetë një nga atraksionet kryesore të edicionit të ardhshëm të Sunny Hill Festival, i cili do të mbahet në Prishtinë nga 31 korriku deri më 2 gusht.
Përveç karrierës së saj muzikore, artistja tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare edhe vitin e kaluar, kur iu bashkua një ekuipazhi tërësisht me gra në një fluturim hapësinor të organizuar nga kompania e Jeff Bezos. Udhëtimi suborbital zgjati rreth 10 minuta dhe u bë viral në rrjetet sociale, duke zgjuar interesim të madh në mbarë botën.
Tani, pas aventurës së saj në hapësirë, Katy Perry po përgatitet për një tjetër ndalesë të veçantë në karrierën e saj – Prishtinën, ku pritet të sjellë një spektakël të paharrueshëm për publikun kosovar.