Vdes Abdullah Ibrahim, pianisti i madh i xhazit i Afrikës së Jugut

Vdes Abdullah Ibrahim, pianisti i madh i xhazit i Afrikës së Jugut

Showbiz June 15, 2026 - 21:26

Ai kishte siluetën e Mandelës, një gjigant i hollë me një fytyrë serioze, i rrethuar nga një tufë flokësh të nxirë: pianisti elegant i xhazit të Afrikës së Jugut, Abdullah Ibrahim, vdiq sot në Gjermani në moshën 91-vjeçare duke lënë pas një trashëgimi unike muzikore të mbushur me aromën e mërgimit gjatë epokës së aparteidit.

Në mars, ai performoi për herë të fundit para një audience të Afrikës së Jugut në Festivalin Ndërkombëtar të Xhazit në Cape Town, në vendlindjen e tij.

”Pianisti ndërroi jetë në paqe i rrethuar nga familja e tij në Gjermani, pas një sëmundjeje të shkurtër”, tha familja e tij në një deklaratë.

Një vendas i racës së përzier nga Kejptauni, sipas një klasifikimi të imponuar nga regjimi i aparteidit që e detyroi të jetonte midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara për dekada të tëra, Abdullah Ibrahim u dallua në skenë me thjeshtësinë e interpretimit të tij të rafinuar dhe linjat e tij të qarta melodike.

Ai iku nga Afrika e Jugut në vitin 1962, vitin kur Nelson Mandela (1918-2013), udhëheqësi i lëvizjes kundër aparteidit, u arrestua dhe më pas u dënua me burgim të përjetshëm.

Por, Abdullah Ibrahim mbajti një lidhje të fortë me vendin e tij të origjinës përmes muzikës së tij.

I pagëzuar si Adolph Johannes Brand në vitin 1934, ai filloi të merrte mësime pianoje në moshën shtatë vjeç, i ndikuar nga nëna e tij, një pianiste që luante në kishë dhe gjithashtu në shfaqjet e filmave të heshtur.

Ai debutoi si profesionist në moshën 15 vjeç, duke luajtur me ansamble të mëdha swing, dhe më pas formoi grupin e tij të parë, Dollar Brand Trio, në moshën 24 vjeç.

Në vitin 1959, ai iu bashkua grupit ”The Jazz Epistles”, ku bënte pjesë edhe trumpetisti Hugh Masekela (1939-2018), dhe regjistroi albumin e parë nga një grup me ngjyrë nga Afrika e Jugut.

Në vitet 1960, xhazi u bë simbol i rezistencës ndaj aparteidit për shkak të diversitetit të grupeve dhe audiencës së tij, gjë që u kundërshtua nga qeveria.

Ibrahim dhe gruaja e tij e ardhshme, këngëtarja Sathima Bea Benjamin, nënshkruan një kontratë për të luajtur në një klub në Zyrih të Zvicrës.

Ishte atje që afrikano-jugori u zbulua në vitin 1963 nga pianisti amerikan i xhazit Duke Ellington (1899-1974), i cili u impresionua aq shumë sa e çoi atë në një seancë regjistrimi në Paris./atsh