Zbulohet skena spektakolare e Eurovision 2026 në Vjenë
Është prezantuar zyrtarisht skena e edicionit të 70-të të festivalit evropian të këngës Eurovision, në një ceremoni të veçantë të mbajtur në Wiener Stadthalle.
Ceremonia u hap nga presidenti federal i Austrisë, Alexander Van der Bellen, i cili e cilësoi Eurovision-in si një festë të diversitetit dhe bashkimit kulturor në Evropë.

Skena e këtij viti është ndërtuar nga transmetuesi publik austriak ORF dhe ekipet organizative, duke shënuar një nga projektet më të mëdha teknike në historinë e festivalit. Ajo përfshin një strukturë prej rreth 2.000 metrash katrorë dhe peshon rreth 210 tonë, ndërsa për ndërtimin e saj janë angazhuar 300 persona në punë intensive disaditore, transmeton Zeri.info.
Organizatorët kanë bërë të ditur se për skenën janë përdorur mbi 5.000 metra katrorë materiale të riciklueshme, si dhe një sistem i avancuar ndriçimi me 2.135 pajisje dhe mbi 8.500 LED të kontrollueshme individualisht.
Një risi e rëndësishme e këtij edicioni është përdorimi i kamerave kinematografike “ARRI Alexa 35”, që synojnë të sjellin një pamje më filmike të performancave live.
Sipas producentëve, skena e dizajnuar nga Florian Wieder dhe Tim Routledge do t’u ofrojë artistëve të 35 shteteve pjesëmarrëse mundësi të reja kreative për performanca.
Provat zyrtare me artistët do të fillojnë në fillim të majit, në prag të netëve live që do të mbahen më 12, 14 dhe 16 maj. /Zëri