Eurovision: “Grindje ballkanike” për shkak të “Jugosllavisë”?
Polemika politike me tone të lehta – ky duket të jetë gjithnjë e më shumë fati i Eurovisionit.
Gazeta gjermane Frankfurter Rundschau ngre pyetjen nëse do të shpërthejnë debate të reja rreth këngës “Jugosllavia” të Zejnës, në rast se ajo përzgjidhet për të përfaqësuar Serbinë në Vjenë.
Eurovisioni, i konceptuar si një spektakël argëtues, po shoqërohet sërish nga hije politike, shkruan e përditshmja gjermane, duke iu referuar “garave të pafundme me zëra të artë” që do të përzgjedhin përfaqësuesin për garën kryesor në Vjenë në muajin maj.
“Në Ballkan, para gjysmëfinales së festivalit PZE këtë të martë (24 shkurt), një nga favoritët, këngëtarja Zejna Murkiq, shkaktoi polemika ndërkufitare, madje edhe përplasje, me odën e saj ‘Jugosllavia’”, shkruan korrespondenti i gazetës nga Beogradi, Tomas Rozer, transmeton Zeri.info.
Ai rikujton se, për shkak të kësaj kënge, në fillim të muajit u shfaq në rrjetin social X llogaria “Eurovision Kosovo”, e cila i drejtohej Serbisë me mesazhin se “nuk mund ta ndajë politikën nga Eurovisioni”.
ë #Serbia can’t separate politics from #Eurovision After a song about the “return of the army to #Kosovo ” in PZE, this year there’s a song glorifying #Yugoslavia . If Serbia selects it, the EBU won’t allow it — political messages are banned by the rules. pic.twitter.com/HpuDf1hhQn
— Eurovision Kosovo (@ESCKOSOVO) February 2, 2026
Probleme në Ballkan?
Sipas këtij reagimi, pretendohet se kënga “lavdëron” Jugosllavinë dhe se Unioni Evropian i Transmetimeve nuk do ta lejonte atë nëse Beogradi do ta nominonte.
Frankfurter Rundschau thekson se Kosova nuk është anëtare e Unionit Evropian të Transmetimeve dhe se mbetet e paqartë kush qëndron pas llogarisë “Eurovision Kosova”. Megjithatë, mesazhi mori vëmendje në Serbi dhe në republikat e tjera ish-jugosllave.
Gazeta ngre pyetjen nëse Eurovisioni rrezikon të përfshihet nga një “mosmarrëveshje ballkanike”, pas polemikave që kanë shoqëruar edhe performancën e Izraelit në këtë konkurs.
E përditshmja shkruan se vetë Zejna (39) mohon çdo motiv politik në këngën e saj. Në Serbi, ajo konsiderohet aktiviste për të drejtat e romëve dhe të grave; njihet si kumbara e Paradës së Krenarisë në Beograd dhe mbështet protestat studentore.
“Jugosllavia është metaforë dhe është një ëndërr. Kënga ime flet për dashurinë, njerëzit, unitetin dhe shpresën”, është shprehur këngëtarja.
Sipas gazetës, në tekstin e këngës theksohen vlera si morali, integriteti, familja dhe atdheu, si gjëra “që paratë nuk mund t’i shkatërrojnë”.
Debate të vazhdueshme për Jugosllavinë
Frankfurter Rundschau u kujton lexuesve se Jugosllavia ka ekzistuar si mbretëri dhe më pas si federatë socialiste – e cila u shpërbë përmes një lufte të përgjakshme – dhe në fund si bashkim i Serbisë me Malin e Zi.
“Në vlerësimin e Jugosllavisë mendimet vazhdojnë të ndryshojnë edhe sot në të shtatë shtetet pasardhëse”, shkruan Rozeri.
Sipas tij, kritikët e akuzojnë udhëheqjen e ish-Jugosllavisë për autoritarizëm dhe shtypje të popullit. Ndërkohë, një pjesë e gjeneratave më të vjetra kujtojnë një bashkëjetesë relativisht të qetë në një shtet shumëetnik pa kufij të brendshëm.
Shpesh, pakicat e shohin Jugosllavinë si model për më shumë tolerancë dhe më pak nacionalizëm, thuhet në artikull.
Në fund, theksohet se kënga “Jugosllavia” mund t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Unioni Evropian i Transmetimeve vetëm nëse përzgjidhet për konkursin përfundimtar.
Megjithatë, kritikat nga Kosova duket se ia kanë rritur dukshëm vëmendjen publike – “Jugosllavia” ka grumbulluar më shumë shikime në YouTube se çdo kandidat tjetër në garë.