Zbulohet një pajisje që mat stresin te foshnjat dhe të rriturit pa ndërhyrje invazive
Një pajisje e re që ngjan me një fashë mund të ndihmojë në matjen e nivelit të stresit te foshnjat dhe të rriturit, sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Science Advances.
Pajisja vendoset në gjoks dhe monitoron në kohë reale reagimet fiziologjike të trupit, përfshirë rrahjet e zemrës, frymëmarrjen, djersitjen, qarkullimin e gjakut dhe temperaturën.
Sipas studiuesve, teknologjia është zhvilluar për të identifikuar stresin që shpesh nuk vërehet menjëherë nga personi apo stafi mjekësor.
Autori i studimit, John Rogers, tha se stresi mund të ndikojë në shëndetin e njerëzve edhe para se ata ta kuptojnë se janë nën presion.
“Stresi i zgjatur mund të ketë pasoja serioze, veçanërisht te gratë shtatzëna, fëmijët dhe pacientët në gjendje kritike”, tha ai.
Pajisja është zhvilluar me kërkesë të pediatërve në Ann & Robert H. Lurie Children’s Hospital of Chicago për të ndihmuar në monitorimin e stresit te foshnjat gjatë qëndrimit në spital.
Aktualisht, mjekët dhe infermierët vlerësojnë stresin te foshnjat kryesisht përmes të qarit, shprehjeve të fytyrës dhe lëvizjeve, metoda që sipas studiuesve mund të jenë subjektive dhe jo gjithmonë të sakta.
Në testimet e kryera, pajisja arriti të zbulojë rritje të nivelit të stresit gjatë pyetjeve sensitive, detyrave të vështira apo situatave të pakëndshme.
Po ashtu, në simulimet me studentë të mjekësisë gjatë trajnimeve emergjente, u vu re se personat me nivel më të lartë stresi kishin performancë më të dobët në vendimmarrje./Gazeta Shneta