Ushqimet ultra të përpunuara lidhen me rritjen e rrezikut për kancer në mushkëri

Ushqimet ultra të përpunuara lidhen me rritjen e rrezikut për kancer në mushkëri

Shëndetësi April 14, 2026 - 12:40

Një studim i ri ka zbuluar se konsumimi i lartë i ushqimeve ultra të përpunuara (UPF) mund të lidhet me një rrezik më të madh për zhvillimin e kancerit në mushkëri.

UPF përfshijnë produkte të gatshme për konsum të menjëhershëm, të cilat përmbajnë shtesa të shumta si aroma, ngjyrues, emulsifikues dhe përbërës të tjerë kimikë. Në këtë kategori hyjnë pijet e gazuara, buka e prodhuar në masë, ëmbëlsirat, akullorja, ushqimet e kripura dhe të ëmbla, si dhe vaktet e gatshme, shkruan Medical News Today.

Në Shtetet e Bashkuara, ushqimet ultra të përpunuara përbëjnë rreth 60 për qind të kalorive të konsumuara çdo ditë. Studime të mëparshme i kanë lidhur ato me obezitetin, diabetin e tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare dhe disa lloje të kancerit.

Studimi i ri, i publikuar në revistën “Thorax”, ka shqyrtuar lidhjen mes këtyre ushqimeve dhe kancerit të mushkërive.

Studiuesit analizuan të dhëna nga mbi 100 mijë pjesëmarrës në studimin ‘PLCO’, duke i ndarë ata në katër grupe sipas sasisë së ushqimeve ultra të përpunuara që konsumonin.

Rezultatet treguan se personat që konsumonin më shumë UPF kishin 41 për qind rrezik relativisht më të lartë për zhvillimin e kancerit të mushkërive, krahasuar me ata që konsumonin më pak.

Ekspertët theksojnë se ky studim nuk dëshmon shkakësi të drejtpërdrejtë, por nënvizon nevojën për hulumtime të mëtejshme në këtë fushë. /shneta