OBSH-ja bën thirrje për reforma urgjente rreth ushqimit shkollor për shkak të rritjes së obezitetit te fëmijët
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka bërë thirrje vendeve në mbarë botën të përmirësojnë urgjentisht ushqimin në shkolla, pasi obeziteti te fëmijët po rritet me ritme alarmante. Aktualisht, një në dhjetë fëmijë në nivel global jeton me obezitet, duke e kthyer këtë problem në një kërcënim serioz për shëndetin publik.
Në udhëzimet e reja globale, OBSH thekson se ushqimi i shëndetshëm në shkolla mund të ndikojë në zakonet ushqimore të fëmijëve për gjithë jetën, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Për herë të parë, agjencia e OKB-së kërkon nga qeveritë të zbatojnë një “qasjë gjithëpërfshirëse shkollore”, që garanton se ushqimet, pijet dhe snack-et brenda shkollave dhe në mjediset përreth tyre janë të shëndetshme dhe ushqyese.
Rekomandimet vijnë në një kohë kur shumë vende po përballen me atë që OBSH e quan “barrë e dyfishtë” e kequshqyerjes: nga njëra anë rritja e obezitetit te fëmijët, dhe nga ana tjetër vazhdimi i nënushqyerjes në shumë rajone.
Në vitin 2025, rreth 188 milionë fëmijë dhe adoleshentë në moshë shkollore ishin obezë, duke tejkaluar për herë të parë numrin e fëmijëve nën peshë.
OBSH paralajmëron se obeziteti në fëmijëri rrit rrezikun për diabet, sëmundje të zemrës, kancer dhe probleme të tjera kronike në moshë madhore.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, ushqimi në shkolla ndikon drejtpërdrejt në të nxënit dhe ka pasoja afatgjata për shëndetin dhe mirëqenien.
Udhëzimet e reja rekomandojnë vendosjen e standardeve të qarta për rritjen e ushqimeve të shëndetshme dhe kufizimin e atyre me shumë sheqer, kripë dhe yndyra të dëmshme, si dhe masa për të frenuar marketingun e ushqimeve jo të shëndetshme për fëmijët.