IKSHPK: Vaksinimi kundër fruthit nuk shkakton autizëm, rreziku vjen nga mosvaksinimi

IKSHPK: Vaksinimi kundër fruthit nuk shkakton autizëm, rreziku vjen nga mosvaksinimi

Shëndetësi January 27, 2026 - 20:55

Në vitet e fundit janë përhapur disa informacione të pasakta që pretendojnë se vaksina kundër fruthit shkakton autizëm dhe se kjo nuk është e vërtetë.

Kështu ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, i cili thekson se rreziku më i madh për shëndetin vjen nga mosvaksinimi, e jo nga vaksinat.

Sipas institutit, në Kosovë, për dekada me radhë, vaksinimi kundër fruthit ka qenë një nga masat më të suksesshme të shëndetit publik.

IKSHPK rikujton se fruthi, i cili dikur ishte një shkaktar i shpeshtë i hospitalizimeve dhe vdekjeve, është vënë nën kontroll falë vaksinës MMR, vaksinë që mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola. Specialistë të Mjekësisë Familjare tregojnë për rëndësinë e vaksinimit kundër fruthit.

 “Fruthi është një sëmundje mjaft ngjitëse, e cila përhapet shumë shpejt. Arsyeja e vaksinimit është ulja e ndjeshme e rrezikut të komplikimeve, si pasojë e sëmundjes së fruthit, përfshirë edhe verbimin. Vaksina ndihmon në forcimin e imunitetit te fëmijët me imunitet të dobësuar dhe kontribuon në parandalimin e epidemive”, tha Besim Murseli, shef i Mjekësisë Familjare nr. 1 në Prishtinë.

Ai shton se përballë fruthit, vaksinimi mbetet mënyra më efektive për mbrojtjen e shëndetit tonë.

“Efektet kryesore janë ato që prekin sistemin respirator, shfaqja e skuqjeve të përgjithshme në trup dhe dobësimi i imunitetit. Vaksina është efikase dhe e sigurt. Ajo nuk shkakton autizëm; shumë punime shkencore nuk kanë gjetur asnjë ndërlidhje mes vaksinimit dhe autizmit”, vazhdoi ai.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik rikujton se profesionistët shëndetësorë janë burimi kryesor i informacionit për prindërit, duke i inkurajuar ata që të informohen gjithmonë për vaksinimin dhe rëndësinë e tij në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve./rtk