Kivi dhe buka e thekrës, në krye të rekomandimeve të reja për trajtimin e kapsllëkut kronik
Shoqata Britanike mbi Dietën Ushqyese (BDA) ka publikuar së fundmi udhëzime të reja për menaxhimin e kapsllëkut kronik, duke sjellë 59 rekomandime të bazuara në prova shkencore që lidhen me ushqimin dhe përdorimin e suplementeve. Këto udhëzime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm për përmirësimin e trajtimit dietik të këtij problemi të përhapur shëndetësor.
Kapsllëku kronik prek deri në 20% të të rriturve në Shtetet e Bashkuara dhe shoqërohet me shqetësime të vazhdueshme që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës. Për të identifikuar zgjidhjet më efektive, studiues nga “King’s College London”, analizuan 75 prova klinike, duke vlerësuar ndikimin e ushqimeve, pijeve dhe suplementeve të ndryshme në funksionimin e zorrëve, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Sipas rezultateve, kivi dhe buka e thekrës rezultuan ndër ushqimet më efektive për lehtësimin e kapsllëkut, falë përmbajtjes së lartë të fibrave dhe ndikimit pozitiv në lëvizjet e zorrëve. Po ashtu, uji me përmbajtje të lartë mineralesh tregoi përfitime të dukshme. Në anën tjetër, probiotikët dhe suplementet me sena ofruan rezultate më të kufizuara dhe jo gjithmonë të qëndrueshme.
Kapsllëku kronik shpesh lidhet me dietë të varfër në fibra, mungesë të lëngjeve ose probleme të tjera shëndetësore. Simptomat përfshijnë jashtëqitje të rralla, vështirësi gjatë eliminimit dhe nevojën për shtyrje të fortë. Nëse nuk trajtohet, kjo gjendje mund të çojë në komplikime si hemorroide, prolaps rektal apo bllokime fekale.
Udhëzimet e reja të BDA-së synojnë të ndihmojnë si profesionistët e kujdesit shëndetësor, ashtu edhe publikun e gjerë, duke ofruar orientim të qartë për zgjedhje ushqimore më të shëndetshme dhe efektive në parandalimin dhe menaxhimin e kapsllëkut kronik.