Arti dhe kreativiteti mund të ngadalësojnë plakjen

Arti dhe kreativiteti mund të ngadalësojnë plakjen

Lifestyle May 14, 2026 - 09:06

Një studim i ri nga Mbretëria e Bashkuar ka treguar se njerëzit që merren me aktivitete artistike dhe kulturore mund të plaken më ngadalë biologjikisht.

Sipas hulumtimit të realizuar nga “Universiteti College London (UCL)”, përfshirja në art, kulturë dhe aktivitete krijuese lidhet me një ritëm më të ngadalshëm të plakjes, efekt i ngjashëm me përfitimet që sjell aktiviteti fizik i rregullt, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.

Studiuesit analizuan të dhënat e mbi 3,500 pjesëmarrësve me moshë mesatare rreth 52 vjeç.

Ata krahasuan zakonet kulturore dhe artistike të pjesëmarrësve me rezultatet e analizave të ADN-së, të cilat tregojnë ritmin biologjik të plakjes.

Rezultatet zbuluan se personat që merrnin pjesë në aktivitete artistike të paktën disa herë në vit kishin ritëm më të ngadalshëm të plakjes sesa ata që rrallë merreshin me to.

Sipas studimit, personat që angazhoheshin në aktivitete kreative çdo muaj kishin rreth 3% ritëm më të ngadalshëm të plakjes, ndërsa ata që merrnin pjesë çdo javë kishin deri në 4% ritëm më të ulët të plakjes biologjike. Për më tepër, pjesëmarrësit aktivë në art dhe kulturë rezultuan mesatarisht një vit “më të rinj” biologjikisht.

Ekspertët besojnë se arti ndikon pozitivisht në shëndetin mendor, ul stresin dhe inflamacionin, si dhe ndihmon në ruajtjen e funksioneve të trurit.

Edhe pse studimi nuk provon drejtpërdrejt se arti ndalon plakjen, ai forcon idenë se një jetë aktive kulturore dhe sociale mund të ndikojë pozitivisht në shëndetin afatgjatë.