NASA zbulon një krater të ri gjigant në Hënë
Një krater i madh dhe relativisht i ri është zbuluar në sipërfaqen e Hënës nga studiues të NASA-s, në një ngjarje që shkencëtarët vlerësojnë se ndodh vetëm rreth një herë në një shekull, ose edhe më rrallë, sipas AP.
Krateri, i quajtur “McGetchin”, ka një diametër prej rreth 222 metrash. Sipas NASA-s, ai u krijua me shumë gjasë në pranverën e vitit 2024, kur një asteroid ose kometë u përplas me sipërfaqen hënore.
Shkencëtarët vlerësojnë se objekti që shkaktoi përplasjen mund të ketë qenë me madhësinë e një ndërtese tre deri në gjashtëkatëshe.
Përplasja ka lënë pas një strukturë shumë të dallueshme në terrenin hënor.
Zbulimi u bë nga studiuesi Robert Wagner, i cili analizoi imazhet e marra nga sonda “Lunar Reconnaissance Orbiter” (LRO) i NASA-s.
Sonda ka studiuar sipërfaqen e Hënës që nga viti 2009. Në skanimin e ri, krateri u shfaq si një njollë e madhe e ndritshme e rrethuar nga një aureolë e errët.
Një studim i publikuar në revistën “Science Advances” e përshkruan “McGetchin” si kraterin më të madh të ri të zbuluar deri tani në Sistemin Diellor.
Kjo nuk do të thotë se është krateri më i madh në Hënë, pasi sipërfaqja hënore përmban kratere shumë më të mëdha, por ato janë krijuar shumë kohë më parë.
Rëndësia e zbulimit qëndron pikërisht në faktin se shkencëtarët mund të studiojnë një krater të krijuar relativisht së fundmi.
Vëzhgimi i ndryshimeve që shkakton një përplasje e tillë mund t’i ndihmojë ata të kuptojnë më mirë gjeologjinë dhe evolucionin e sipërfaqes së Hënës.
Zbulimi mund të ketë gjithashtu rëndësi për misionet e ardhshme hënore me astronautë. Ndryshe nga Toka, Hëna praktikisht nuk ka atmosferë që të ngadalësojë ose të djegë objektet që vijnë nga hapësira, ndaj përplasjet me asteroidë dhe kometa mund të ndodhin drejtpërdrejt në sipërfaqe. /atsh