“The Splash”, fotografia ikonike e futbollit që vazhdon të mahnisë edhe 70 vjet më vonë

“The Splash”, fotografia ikonike e futbollit që vazhdon të mahnisë edhe 70 vjet më vonë

Kuriozitete August 29, 2026 - 21:15

Një fotografi bardhë e zi e realizuar 70 vjet më parë vazhdon të mbetet një nga imazhet më të njohura në historinë e futbollit. Bëhet fjalë për “The Splash”, fotografinë ikonike të Tom Finney-t, e shkrepur në gusht të vitit 1956 në Stamford Bridge, gjatë ndeshjes mes Chelsea dhe Preston North End.

Në një fushë të përfshirë nga shiu, Finney shihet duke rrëshqitur nëpër një pellg të madh, ndërsa një valë uji ngrihet rreth tij. Pavarësisht kushteve të vështira, ai arrin të ruajë kontrollin e topit. Në ditët e sotme, një ndeshje në kushte të tilla me shumë gjasë do të ndërpritej, por në vitin 1956 loja vazhdoi.Fotografi John Horton, i Press Association, nuk mund ta dinte se kishte kapur një moment që do të bëhej pjesë e historisë së futbollit. Në atë kohë, fotografitë nuk shfaqeshin menjëherë në ekranet e publikut. Rëndësia e imazhit u kuptua vetëm pasi filmi u zhvillua në dhomën e errët.Finney ishte tashmë një prej yjeve më të mëdhenj të futbollit anglez. Ai kishte luajtur për Anglinë në dy Kupa Bote dhe kaloi gjithë karrierën te Preston North End, duke bërë 433 paraqitje dhe duke shënuar 210 gola. Për Anglinë luajti 76 ndeshje dhe shënoi 30 gola.

Por për tifozët e Prestonit, fotografia “The Splash” është po aq e rëndësishme sa statistikat e tij.

“Për ne, ai është lojtari më i madh”, tha për BBC Jack Bridge, një tifoz 31-vjeçar i Prestonit, i cili nuk e ka parë kurrë Finney-n duke luajtur, por është rritur me historitë e gjyshit të tij për legjendën e klubit.

Fotografia është përdorur ndër vite në revista, libra, bluza dhe suvenire të Preston North End. Ajo madje u bë pjesë e skenografisë së programit televiziv “This Is Your Life”, ku Finney ishte i ftuar.

Në vitin 2002, fotografia u shndërrua edhe në një statujë jashtë stadiumit Deepdale. Skulptori Peter Hodgkinson rikrijoi momentin e famshëm, duke përfshirë edhe shatërvanë që imitojnë valën e ujit rreth Finney-t.

“Unë gjithmonë mendoj se mund të bëj më mirë, por si tifoz jam krenar për të”, tha Hodgkinson për BBC.

Finney, i cili vdiq në vitin 2014 në moshën 91-vjeçare, ishte një figurë e dashur në Preston. Pas vdekjes së tij, mijëra njerëz dolën në rrugë për ta nderuar.

Shtatë dekada pas shkrepjes së saj, “The Splash” vazhdon të jetojë si një simbol i Tom Finney-t, Preston North End dhe një epoke të futbollit kur lojtarët vazhdonin të luanin edhe atëherë kur fusha dukej më shumë si liqen sesa si një stadium./KultPlus