Ukraina godet me sanksione serialin “Masha dhe Ariu” për narrativa pro-ruse

Ukraina godet me sanksione serialin “Masha dhe Ariu” për narrativa pro-ruse

Kuriozitete August 21, 2026 - 13:20

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka nënshkruar një dekret për vendosjen e sanksioneve ndaj personave dhe kompanive ruse të përfshira në krijimin dhe shpërndarjen e serialit të animuar “Masha dhe Ariu”.

Sipas Presidencës ukrainase, sanksionet përfshijnë pesë shtetas rusë dhe katër organizata, të cilat akuzohen se përmes përmbajtjes për fëmijë promovojnë narrativa pro-ruse.

Autoritetet ukrainase pretendojnë se seriali paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit.

Në mesin e të sanksionuarve është studioja Animaccord, e cila qëndron pas serialit, si dhe drejtues, skenaristë, producentë dhe persona të lidhur me të drejtat e produksionit.

“Masha dhe Ariu” vazhdon të jetë shumë i popullarizuar në mesin e fëmijëve ukrainas. Në gusht të vitit 2025, kanali i serialit ishte renditur në vendin e parë ndër kanalet më të ndjekura për fëmijë në YouTube në Ukrainë.

Autoritetet ukrainase kishin ngritur shqetësime për serialin edhe më herët. Në vitin 2017 ishte shqyrtuar mundësia e ndalimit të tij për shkak të pretendimeve se përmbante elemente të propagandës ruse.

Në një prej episodeve, personazhi kryesor ishte shfaqur me një kapelë të lidhur me NKVD-në, ish-shërbimin sovjetik të sigurisë.