Merlini, rosa që po shndërrohet në yllin e Kupës së Botës

Merlini, rosa që po shndërrohet në yllin e Kupës së Botës

Kuriozitete June 19, 2026 - 21:08

Një personazh i pazakontë po tërheq vëmendjen e mijëra tifozëve gjatë Kupës së Botës 2026 në Meksikë.

Merlini, një rosë dyvjeçare e veshur me fanellën jeshile të kombëtares meksikane, është kthyer në një fenomen viral dhe një nga figurat më të dashura të turneut.

Gjithçka nisi kur pronarja e tij, Karla Ivette Gomez, u filmua duke ecur në rrugët e Meksiko Sitit me Merlinin pranë saj.

Videoja u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale dhe brenda pak ditësh rosa fitoi famë kombëtare.

FIFA e ka quajtur madje ambasadoren e Meksikës, ndërsa kombëtarja publikoi një imazh simbolik ku Merlini fluturonte mbi stadiumin e Guadalajarës.

Fanella me numrin 12, simbol i tifozëve, është bërë marka e tij dalluese.

Popullariteti i Merlinit ka shkuar aq larg sa furra buke prodhojnë ëmbëlsira me figurën e saj, ndërsa televizione të ndryshme e ftojnë për ”analiza” të ndeshjeve.

Përgjigjja e saj ndaj pyetjeve sportive mbetet gjithmonë e njëjtë ”kuak, kuak, kuak”.

Në sheshin historik “Bellas Artes”, dhjetëra gazetarë dhe qindra kalimtarë mblidhen për ta parë nga afër.

Sapo mbërrin, njerëzit nxitojnë të bëjnë foto dhe video, duke e trajtuar si një yll të vërtetë.

“Nuk e imagjinuam kurrë se do të bëhej kaq e famshme”, thotë Karla Gomez.

Merlini ushqehet me fruta, perime, peshk dhe insekte, por pronarja pranon me humor se herë pas here rosa shijon edhe ndonjë taco meksikane.

Veterineri i ka thënë së fundmi se është pak mbi peshë, por kjo nuk duket se e pengon të vazhdojë turneun e tij të famës.

Historia e Merlinit të kujton traditën e kafshëve që bëhen simbole të Kupës së Botës, si oktapodi i famshëm Paul në vitin 2010.

Megjithatë, këtë herë është një rosë me fanellën e Meksikës që po fiton zemrat e tifozëve dhe po sjell një dozë humori e gëzimi në festën më të madhe të futbollit. /atsh