Misteri 500 mijë vjeçar i Etnas drejt zgjidhjes
Etna, vullkani më aktiv i Europës, ruan ende sot një sekret: askush nuk e di saktësisht se si është formuar, shkruan focus.it.
Një grup studiuesish nga Universiteti i Lozanës (UNIL), po përpiqet që tani përmes një studimi të mund të tregojë historinë e tij shumë më mirë se deri më sot.
Një gjigant jashtë kategorive
Për të kuptuar Etnën, duhet nisur nga bazat. Vullkanet lindin kur një pjesë e mantelit të Tokës shkrin në magmë, ngrihet lart dhe ngurtësohet në sipërfaqe.
Shkenca deri tani ka identifikuar tre kategori kryesore: vullkanet që formohen përgjatë kreshtave oqeanike, ku pllakat tektonike ndahen; ato në zonat e subduksionit, ku një pllakë zhytet nën tjetrën duke tërhequr ujë që ul pikën e shkrirjes së mantelit — si në rastin e Monte Fuji; dhe vullkanet e tipit “hotspot”, të ushqyera nga rryma të nxehta të mantelit, si ato që kanë krijuar Hawaii ose ishullin Réunion.
Etna nuk i përket asnjërës prej këtyre kategorive. Ajo ndodhet pranë një zone subduksioni, por përbërja e saj kimike i ngjan më shumë vullkaneve hotspot — megjithëse nuk ka asnjë hotspot afër. Një anomali që prej dekadash ka habitur komunitetin shkencor.
“Sfungjeri” dhe magma e lashtë
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Journal of Geophysical Research — Solid Earth dhe i realizuar në bashkëpunim me studiues nga Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë në Katania, propozon një shpjegim kompleks.
Ndryshe nga vullkanet tradicionale, ku magma formohet pak para shpërthimit, Etna mund të ushqehet nga rezerva magme që ekzistojnë prej kohësh në mantelin e sipërm, rreth 80 km në thellësi.
Këto masa magme shtyhen drejt sipërfaqes nga lëvizjet tektonike të shkaktuara nga përplasja mes pllakës afrikane dhe asaj euroaziatike, duke u ngritur përmes çarjeve të krijuara — pak si lëngu që del nga një sfungjer i shtrydhur.
Një kategori e katërt për t’u zbuluar
Nëse kjo hipotezë konfirmohet, Etna do të bënte pjesë në një grup shumë të veçantë vullkanesh: të ashtuquajturit “petit-spot”, struktura të vogla nënujore të zbuluara për herë të parë në vitin 2006 nga gjeologë japonezë.
Këto struktura, zakonisht jo më të larta se disa qindra metra, kishin treguar tashmë ekzistencën e rezervave magme në mantelin e sipërm — një ide e propozuar që në vitet ’60, por për shumë kohë e diskutueshme.
Sipas studiuesve, Etna mund të jetë formuar nga një mekanizëm i ngjashëm me këta vullkane të vegjël, por me përmasa shumë më të mëdha. Kjo është e papritur, sepse procese të tilla ishin vërejtur deri tani vetëm në struktura të vogla, ndërsa Etna është një stratovullkan i madh aktiv prej rreth 500 mijë vitesh.
Si u zhvillua studimi
Për të arritur në këto përfundime, studiuesit analizuan mostra lave të mbledhura në Etna, duke rindërtuar evolucionin kimik të shpërthimeve nga lindja e vullkanit deri sot.
Rezultatet tregojnë se përbërja e magmës ka mbetur pothuajse e pandryshuar me kalimin e kohës, edhe kur kushtet tektonike kanë ndryshuar.
Kjo mbështet idenë e një “rezervuari” magme të lashtë, aktiviteti i të cilit kontrollohet më shumë nga lëvizjet e pllakave tektonike sesa nga procese të reja shkrirjeje.
Përveç se rihap debatin mbi origjinën e Etnës, kjo zbulim ka edhe pasoja praktike: të kuptuarit më mirë i mekanizmit të saj mund të përmirësojë modelet e vlerësimit të rrezikut dhe të ndihmojë në studimin e vullkaneve të tjerë “anomale” në botë./atsh